Parlamenti i Maqedonisë, interpelancë ndaj zv/kryeministit Nikolla Dimitrov

Maqedonia

Parlamenti i Maqedonisë, interpelancë ndaj zv/kryeministit Nikolla Dimitrov

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 21:13
Nikolla Dimitrov

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut po mban seancën mbi interpelancën ndaj zëvendës kryeminisrit Nikolla Dimitrov, me kërkesë të VMRO-DPMNE-së opozitare. Partia e fajëson zotin Dimitrov për dështimin e fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe “lëshimet ndaj Bullgarisë fqinje, duke qenë arkitekt i Marrëveshjes për miqësi të mirë me Sofjen”, që rezultoi, sipas VMRO-së, në dëm të interesave dhe të identitetit maqedonas.

Debati në parlament po zhvillohet me tone të ashpra.

Zyrtarë të VMRO-së thanë se interpelanca është vetëm se hapi i parë i planit për rrëzimin e shumicës parlamentare, ndërsa siç u shpreh nënkryetari i partisë opozitare Aleksandar Nikollovski “hapat tjerë do t’i shikoni në javët që vijnë”. Ai akuzon Kryeministrin Zoran Zaev dhe Zv.Kryeministrin Dimitrov si dy fajtorët më të mëdhenj për gjendjen me integrimet evropiane “duke gënjyer popullatën për disa vitet e fundit se vendi ka marrë datën për fillimin e bisedimeve”, siç tha ligjvënësi.

Ndërkohë, zoti Dimitrov e cilësoi interpelancën si të pabazë duke thënë se Marrwveshja nuk dëmtonte gjuhën maqedonase, por se Bullgaria e ka shkelur një pikë të saj.

Zoti Dimitrov e drejton Sekretariatin për Çështjet Evropiane. Për shkarkimin e tij nevojiten 61 vota të deputetëve në parlamentin prej 120 vendesh, që opozita nuk i ka. VMRO-ja po ashtu ka ngritur kërkesë në parlament për interpelancë edhe ndaj dy ministrave të tjerë në qeverinë Zaev, Bojan Mariçiç të Drejtësisë dhe Lupço Nikollovski të Çëshjeve të korrupsionit.

Maqedonia e Veriut së fundmi është renditur keq në indeksin e Transparency International lidhur me korrupsionin duke u radhitur në vendin e 111 së bashku me Mongolinë e Panamanë. Nga ana tjetër, vaksinimi nuk ka filluar akoma; nuk ka mbërritur asnjë vaksinë në vend, teksa numri i viktimave nga pandemia ka shkuar në 2893. Kjo ka bërë që opozita maqedonase të shtojë sulmet dhe akuzat kundër qeverisë duke e quajtur atë të paaftë për t’u ballafaquar me sfidat që po dëmtojnë dhe varfërojnë popullin./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat