Eurothink: Mbikëqyrja e shërbimeve të sigurisë, problematike

Maqedonia

Eurothink: Mbikëqyrja e shërbimeve të sigurisë, problematike

Më: 16 mars 2021 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Pak kohë pas reformimit të shërbimeve sekrete në vend, organizatat që ndjekin punën e tyre vlerësojnë se nevojitet rishikim i normave ligjore në fushën e mbikëqyrjes. Qendra për Strategji Evropiane Eurothink me mbështetjen e DCAF ka konstatuar një sërë ngecjesh dhe problemesh në punën e organeve që duhet të mbikëqyrin punën e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Agjencisë Teknike Operative dhe Agjencisë për zbulim. Problem, sipas “Eurothink”, paraqet fakti që aktualisht këto shërbime mbikëqyren nga tre komisione të ndryshme parlamentare, me shumë anëtarë dhe me profile joadekuate profesionale.

Reduktim të numrit të komisioneve parlamentare, ku më pak deputetë do të nevojiten për të kryer mbikëqyrjen, selektim i profileve të përshtatshme të deputetëve, përgatitje nga shërbimi profesional dhe kompetenca të punës së tyre që do të përshtaten me sfidën dhe do të mundësojnë mbikëqyrje reale. Propozojmë një lloj koncepti reforme të mbikëqyrjes parlamentare ku një komision i vetëm do të ketë kompetenca të definuara shumë qartë dhe mundësi për ta bërë mbikëqyrjen – tha Aleksandar Stojanovski, “Eurothink” .

Institucionet, thonë nga “Eurothink”, duhet të sigurojnë kushte për punën e Këshillit të pavarur qytetar të cilët po ashtu duhet të mbikëqyrin shërbimet e sigurisë. Ky Këshill, që nga formimi e deri tani ka qenë pa hapësira të nevojshme, pa pajisje teknike për punë dhe pa ndihmës teknik që njohin këto pajisje teknike. Po ashtu, kompetenca e Këshillit qytetar është e kufizuar, vetëm me vizita të paralajmëruara.

Ligjet për shërbimet e sigurisë, thotë Aleksandar Stojanovski, duhet të qartësojë edhe përgjimin e mënyrave të tjera të komunikimit.

Ata janë lënë anash në ligj për atë se si, në cilën pjesë, sa mund të përgjohen. Flasim për mesazhe në shërbime të kriptuara, flasim për komunikim me e-mail, flasim për historikun e sërfimit në internet. Kjo e gjitha është lënë anash – deklaroi Aleksandar Stojanovski, “Eurothink”.

Mbikëqyrja e shërbimeve të sigurisë vazhdon të përbëjë problem. Në përbërjen e kaluar parlamentare partitë nuk arritën të merren vesh për angazhimin e dy ekspertëve të teknologjisë të cilët do të ishin në ndihmë të komisionit parlamentar për ndjekjen e zbatimit të masës së përgjimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat