Njerëz nga Bigelow mutacioni!

Maqedonia

Njerëz nga Bigelow mutacioni!

Nga: Mersel Bilalli Më: 20 mars 2021 Në ora: 15:10
Mersel Bilalli

Në fermën Bigelow në shtetin Utah, për dekada janë pare do kafshë të çuditshme të mutuara, madje edhe me kokë njeriu. Pronari i fermës Terja Sherman, një herë u pat sulmua nga një krijesë me kokë ujku e trup të një dhie. Sherman e pat gjuajt kafshën, por për çudi plumbat i ishin kthyer. Shumë njerëz në atë vend kishin parë kafshë të çuditshme që zhdukshin për çast! E njohur është se truri i kalit me emrin Snipo u pat heq pa asnjë gjurmë operacioni! Ferma iu shit një instituti kërkimor për të hetuar këto fenomene të çuditshme, por deri më sot akoma nuk ka asnjë shpjegim logjik.

Ashtu siç nuk ka asnjë shpjegim logjik se si Maqedonia e Veriut nga një vend i dytë në Ballkan për nga zhvillimi 30 vjet më parë, tani ka mbetur e fundit! Siç nuk ka asnjë shpjegim logjik për ate se si nga një shkollim solid përfunduam në analfabetizëm kronik! Se si nga një ekologji e qëndrueshme përfunduam në deponi! Se si drejtësinë me çekan e shndërruam në çekan për kokën e drejtësisë! Se si lufta kundër krimit të na duket si luftë me hijen tonë, ku strukturat kriminale kanë gjithçka përveç emër e mbiemër! Dhe shumë çfarë tjera “se si”! Dhe së fundmi, si është e mundur që ditë më parë në parlamnet të demonstrohet një "shumicë të qëndrueshme" qeveritare, kurse pas do ditësh të ofrohet "koalicionim i gjerë"! E çuditshme është që të mos çuditesh! Ne sikur jemi mësuar të jetojmë të sëmurë dhe nuk duam të jemi të shëndoshë.

Po ta trajtojmë “koalicionimin e gjerë” nga këndi i interesave të përgjithshme, ai paraqet një shenjë e bujarisë politike, por problemi është se në vendin tonë ai ofrohet vetëm kur ta kemi sjellë vendin buzë gremisë. Gjermanët e zgjuar kanë bërë koalicionime të gjera për tre mandate, por ata këte e bëjnë në favor të interesave të rëndësishme të shtetit. Kurse në shtetin, kur çdo ditë bosh këndohet kënga se si “Lind një dielli i ri”, në fakt shuhet edhe ai që është, kurse dikush ofron koalicionime, jo për një diell të ri, por për ta fsheh errësirën e plotë në shtet. Ndoshta do të na duhet ta largojmë errësirën me ndihmën e marihuanës, të cilën si duket po e shpallim orientim parësor strategjik ekonomik. Kurse realisht, ne kemi shumë resurse tjera me të cilat mund të bëhemi vend i denjë për të jetuar. Por, për fat të keq, përkundër kushteve ideale natyrore për bujqësi të zhvilluar, ne importojmë rreth një miliard euro ushqim çdo vit! Këtu Zoti ka dhënë shumçka pos trurit dhe idealit. Ka diçka këtu që s’shkon aspak! Madje, po të shfrytëzonim burimet e shkëlqyera natyrore që kemi për zhvillim të turizmit malor e rural, në supozim të pasjes tru e ideal, do të realizojshim miliarda euro. Sidoqoftë, kjo nuk është e mundur të bëhet me përzgjedhje të stafit profesional dhe atij shtetëror nga tru të ndryshkur partiak.

Maqedonia e Veriut me qeveri eksperte?!

Ndër qarqe diplomatike sikur matet pulsi për qeveri afatgjate ekspertësh për Maqedoninë e Veriut, pasi ngecja e saj vetshkatëruese determinon destabilizim rajonal. Fakt se nuk duhet pritur shumë nga një qeveri ekspertësh që do të ishin në prehër të partiakëve pa ide, pa ideal e pa vizion. Ne për një kohë të gjatë dëshmojmë se kemi deficit kronik të idealit elementar. Prandaj, një qeveri eksperte mund të ketë sukses vetëm nëse do ketë një mentor dhe monitorim të fuqishëm nga të huajt. Ekspertë eminent të investimeve botërore mendojnë se me një qasje profesionale, Maqedonia për pesë vjet mund të bëjë hapa të mëdha zhvillimore ekonomike. Por ato nuk i shofim në horizont, andaj kështu mund vetëm të fundosemi në rërë të gjallë. "Vendi juaj nuk ka nevojë për një koalicionim të gjerë, aq më pak të ngushtë. Ai ka nevojë për një koalicion truri"- më tha një i huaj i akredituar në Shkup. "Ajo për dekada s’e di se kah duhet të shkojë dhe çfarë duhet të bëjë, ajo nuk është as e vetëdijshme për resurset që ka", vazhdoi i huaji me qëllimin më të mirë.

Politika e mbrapshtë që na ndjek për një kohë të gjatë ka ndryshuar edhe kodin tonë mendor, kështu që nuk është rastësi që mburremi me të keqen, kurse urrejmë të mirën. Izraeli ka një territor më të vogël Maqedonia e Veriut, madje me 70 për qind shkretëtirë, kurse në te mban mbi nëntë milion banorë, madje me standard pesë herë më të lartë se tonin. Bujqësia e saj në mes të shkretëtirës furnizon rreth 11 për qind tregut pranveror të UE-së me produkte të saja. Të gjitha vendet po ecin përpara, madje edhe do vende afrikane, kurse pjesa shqiptare e Maqedonisë së Veriut vendnumron për 30 vjet, e bllokuar në injorancën dhe krimin e organizuar. Sukses shënon vetëm eksporti i të rijve shqiptarë në Evropë, epidemi që ka përgjysmuar popullatën shqiptare në Maqedoni, madje edhe më shumë se kaq, kur të kemi parasysh se në te mbetet vetëm popullata e moshuar. Njëzet vjet më parë, Serbia ishte në fund të botës për shkak të politikave destruktive të Milosheviqit, por tani ajo ka kap një ritëm zhvillimor duke u shndërrua në lider rajonal. Ne mund ta kritikojmë Vuçiqin për gjithçka, por në asnjë mënyrë se ai nuk ka vizion dhe ideal zhvillimor për vendin e vet. Serbia e tregoi veten si vend i pestë në botë për nga vaksinimi i popullsisë. Fqinjët e saj vazhdojnë të vrasin miza. Por, logjika e politikanëve vendas është marrja e kredive të shtrejta për të mbajtur artificialisht rejtingun që s’e meritojnë. Gjithçka këtu sikur domosdo rrotullohet rreth nevojave elektorale dhe kjo do të na varrosë akoma më shumë. Edhe ata pak të rinjë që na kanë mbetur në vend, sikur duan sa më shpejtë të na ikin, sepse shohin se këtu tanimë kontejnerët po na shndërrohen në kuzhina popullore.

Një koalicion i gjerë do mund të na ndihmojë vetëm nëse plotësojmë edhe do kushte tjera. E para, zgjedhjet fer dhe të ndershme, kurse konform rezultateve nga to të pretendohen dikasteret për të cilët fjalën e fundit afatgjatë duhet ta kenë të huajit. Së dyti, pastrimi i gjyqësorit, poashtu me ndihmën e të huajve, sepse nëse dikush gërmon në të kaluarën e disa gjykatësve, do zbuloj abuzime të tmerrshme. Së treti, një sistem absolut meritokratik në përzgjedhjen e kuadrove. Së katërti, kthimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme apo që s’mund të dëshmohet. Dhe e së pasti, por jo më pak e rëndësishme, një strategji zhvillimore e definuar dhe e përcjellë nga ekspertë eminentë. Sepse zhvillimi nuk bëhet nga mendjet që s’kanë mend. Duhet thënë lamtumirë atyre që për vite u pasuruan duke shitur iluzione.

Nuk është aspak lehtë në ambient ku për dekada njerëzit këtu kanë krijuar më shumë “perëndi” se sa vet Perëndia njerëz. Njerëzit e ktuit sikur kanë nevojë të madhe për një trajtim kolektiv, duke i bindur se nuk është mirë të hidhen në pishinë të zbrazur. Për një kohë të gjatë këtu makineria e propagandës i ka mësuar njerëzit të dyshojnë në të mundshmen dhe të besojnë në të pamundshmen. Kurse për disa vlenë ajo e Krishtit - Zot, mos i fal sepse ata mirë e dinin se çfarë po bënin! Apo ndoshta na udhëheqin do qenie të mutuara nga Bigelow. Apo vet ne jemi të mutuar!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat