OJQ-të të premten organizojnë protesta për rastet e montuara në Maqedoni

Maqedonia

OJQ-të të premten organizojnë protesta për rastet e montuara në Maqedoni

Më: 31 mars 2021 Në ora: 19:41
Protesta

Organizatat joqeveritare u mblodhën para gjykatës për të paralajmëruar protestë të premten kundër rasteve të montuara. Bedri Ajdari u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në mënyrë masive për të ngritur zërin kundër padrejtësive që u bëhen shqiptarëve.

“I ftoj të gjithë qytetarët, të dalim të protestojmë masovikisht ditë e premte, më dy prill 2021, në orën 14, për të treguar seriozitet se nuk do t’i tolerojmë dënimet drakonike për njerëz të pafajshëm, si dhe dënime selektive dhe me standarde të dyfishta”, tha Bedri Ajdari.

Ndërsa kryetari i organizatës joqeveritare “Boll më” tha se protesta do të jetë e qetë, ndërsa shtoi se policia ka provokuar në protestën e fundit ndërsa asnjëri prej tyre nuk është dënuar.

“Për momentin po gjykohen tre nga vëllezërit tanë të cilët janë të arrestuar padrejtësisht dhe po gjykohen padrejtësisht. Jemi në mbështetje të tyre të plotë. Do t’i përkrahim deri sa ta fitojnë lirinë të cilën e meritojnë. Të gjithë jemi dëshmitarë se në protestën e fundit ishte policia që provokoi dhe filloi dhunën e para. Sa nga ata policë janë dënuar? Asnjë”, u shpreh Krenar Osmani.

Protesta është paraparë të filloj nga parku i Çairit deri në Qeveri, por në protestën e fundit policia nuk lejoi protestuesit të marshojnë deri në cakun e paraparë. Ata u ndaluan në Bit Pazar. Ndërkohë tre persona që pranuan aktakuzat nga Prokuroria për pjesëmarrje në protestat për “Monstrën” u dënuan me nga një vjet burg, ndërsa policët të cilët gjuajtën me gurë kaluan vetëm me vërejtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat