Maqedonia e Veriut do të rritë investimet kapitale në vitin 2022

Maqedonia

Maqedonia e Veriut do të rritë investimet kapitale në vitin 2022

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 08:16
Nebi Hoxha

Hoteleria, turizmi dhe transporti janë sektorët më të goditur nga pandemia në Maqedoninë e Veriut. Dëmi i shkaktuar në bruto produktin vendor në këtë shtet është rreth 4.5 përqind apo afër 600 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha thotë se krahas kësaj, janë edhe rreth 6 mijë kompani që janë mbyllur gjatë pandemisë, por kaq edhe janë hapur.

Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon që ka implementuar 6 pako fiskale në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve.

Hoxha është optimist se viti 2022 do të jetë edhe më stabil për Maqedoninë e Veriut, teksa shton se ka pritshmëri të mira sa i përket investimeve kapitale.

Hoxha: Dëmi nga pandemia në bruto produktin vendor është 600 milionë euro

“Sektorët më të goditur ishin ata që janë në të gjithë botën, sektori i hotelerisë, turizmit, transportit dhe këto ishin sektorët të cilët që nga pakoja e parë iu dolën në ndihmë... 5:52 Dëmi nga pandemia në përgjithësi në bruto produktin vendor është diku 4.5 përqind, që i bie afër 600 milionë euro vetëm rënia e bruto produktit vendor. Numri i kompanive, të cilat ishin të mbyllura janë diku rreth 6 mijë, dhe hapja e kompanive të reja pothuajse është e njëjtë. Nëse vazhdon ky trend i kthimit apo rivitalizimit të ekonomisë së vendit, mendoj që viti 2022 do të jetë një vit më stabil dhe në atë rast do të kemi pritshmëri më të mira edhe rreth investimeve kapitale në vendin tonë”, thotë ai.

Që nga rastet e para me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, Hoxha thotë se në vitin 2021, vendi ka shënuar rritje ekonomike, por se ende ka nevojë për investime kapitale.

Hoxha: Kemi rritje ekonomike në krahasim me vitin 2020

“Numrat që dalin nga Ministria e Financave në vendin tonë, dëshmojnë që tashmë e kemi një zhvillim pozitiv dhe një rritje ekonomike në krahasim me vitin 2020 dhe mund të them që në aspekt financiar, qëndrojmë përafërsisht në një linjë të përafërt me periudhën para pandemisë COVID-19. Dhe, rikthimi i ekonomisë sa më shpejt nënkupton që masat kanë qenë efikase në luftën kundër pandemisë... 3:40 Për të pasur një rritje ekonomike më afatgjatë janë të domosdoshme investimet kapitale në një vend. Vendi ynë në këtë drejtim, në krahasim me rajonin, ndoshta qëndron më mirë, por në përgjithësi, me atë që është premtuar si pjesë e investimeve kapitale, ende nuk është realizuar dhe këtu unë mendoj se duhet të punohet më tepër”, thekson ai.

Nebi Hoxha thekson se mungesa e stabilitetit politik në rajon po shërben si barrierë për bizneset.

Ai thotë se i kanë apeluar qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të lidhin kryeqendrat me autostrada dhe hekurudha, porse si i tillë projekti është ende larg.

Hoxha: Qeveritë të lidhin kryeqendrat Shkup-Prishtinë-Tiranë me autostrada dhe infrastrukturë hekurudhore

“Çështja tjetër që kemi apelu si Odë Ekonomike e Maqedonisë së Veriut është infrastruktura me vendet e rajonit, respektivisht, lidhja e kryeqendrave tona, Shkup-Prishtinë-Tiranë, me autostrada dhe infrastrukturë hekurudhore, që është një mungesë e madhe për qarkullimin e shpejt të mallrave dhe njerëzve. Në Kosovë është realizuar pothuajse 80 përqind, ka ngelur pjesa e Maqedonisë, kurse me Shqipëri jemi ende larg. Kjo do të krijon një humbje në rast se ne e projektojmë një realizim të infrastrukturës që duhet plotësuar nga të dy anët. Ne si Odë Ekonomike, jemi ndër vite të fokusuar që kjo çështje të zgjidhet me prioritet sa më të madh, sepse një infrastrukturë e mirëfilltë do të thotë një potencial i jashtëzakonshëm për investime të brendshme dhe të jashtme në vendet tona”, thotë ai.

Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon që ka miratuar pakon e gjashtë fiskale në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat