Dikur Filipçe ishte kundër, Bekteshi pro!

Maqedonia

Dikur Filipçe ishte kundër, Bekteshi pro!

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 19:46
Kreshnik Bekteshi

Qeveria solli vendim që nga data 1 korrik të lejohet organizimi i dasmave në ambient të mbyllur. E për këtë më herët autoritetet kishin qëndrime të ndryshme. Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe vlerësonte se është herët që të realizohen grumbullime nëpër hapësira të mbyllura. Vetëm para disa ditësh i pyetur nga media, tha se këtë verë nuk parashihen dasma në ambient të mbyllur.

 “Komunikimin e fundit që e kemi pasur me KSI tregon se ata janë të mendimit që këtë verë ngjarje masovike, në ambiente të mbyllura të mos mbahen”, theksoi Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë.

Nga ana tjetër ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi që në fillim të muajit maj ishte i mendimit që restorantet e dasmave duhet t’i hapin dyert për ahengje.

 “Edhe restorantet e dasmave apo restorantet që organizojnë ahengje të ndryshme diku në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm të mund të fillojnë me punë”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

E çështjen e nisjes me punë të restoranteve të mbyllura e ka përkrahur zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani. I njëjti dje theksoi se duhet të lirohen protokollet për dasma.

 “Ne vetëm u themi dasma, se grumbullime në ambiente të mbyllura mund të ketë edhe në shumë forma të tjera”, u shpreh zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani.

Sipas vendimit të sotëm në sallat ku do të organizohen ahengjet do të lejohen maksimum 250 mysafirë dhe nuk guxon të përdoret më shumë se 40% e kapacitetit të hapësirës. Këto rekomandime erdhën pas ankesave të gastronome, gjegjësisht pronarëve të restoranteve të mbyllura, të cilët deklaruan se ndihen të diskriminuar për shkak se dasmat deri më tani lejoheshin vetëm për restorantet që kanë tarraca apo ambiente të hapura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat