Reagon BDI: ASH dhe AAA vandalizojnë kulturën

Maqedonia

Reagon BDI: ASH dhe AAA vandalizojnë kulturën

Më: 11 korrik 2021 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në ndaj konferencës për shtyp të ASH-së duke thënë se “mungesa e ideve, mospasja e projekteve të realizuara nga ta, nihilizmi kronik ndër vite dhe prirja vandale e opozitës shqiptare i neverisë qytetarët dhe është një nga arsyet për dështimet e tyre të njëpasnjëshme.

“Ndryshe nga prirjet vandale opozitare, Bashkimi Demokratik për Integrim ndërton teatro, shkolla, spitale, rrugë, çerdhe dhe angazhohet për cilësinë e jetës së qytetarëve duke krijuar vepra të panumërta për ta lehtësuar përditshmërinë e çdo qytetari”, thonë nga BDI.

Ata shtojnë se dje teatri kishte festë, ndërsa opozita edhe pse ishte e ftuar nuk erdhi për të festuar.

“Plani opozitar që ta vandalizojnë teatrin në 71 vjetorin e vet dhe në rihapjen e teatrit të rinovuar tërësisht është neveritës. Qytetarët nuk rreshtohen pas grindavecëve, pas vandalëve, pas nihilistëve të cilët nuk kanë asnjë projekt të vetin të realizuar prej që kur ekzistojnë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Në fund thuhet se BDI do të vijojë me politikat konstruktive dhe në përmirësimin e kushteve për një jetë cilësore në të gjitha sferat.

“veprimet e tilla opozitare janë dëshmia më e mirë se pse duhet përkrahur ndërtuesi e jo shkatërruesi, krijuesi e jo mohuesi, konstruktivi dhe jo destruktivi”, thonë nga BDI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat