Në klasën e parë dhe të katërt do të fillojë të zbatohet koncepcioni i arsimit fillor

Maqedonia

Në klasën e parë dhe të katërt do të fillojë të zbatohet koncepcioni i arsimit fillor

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

Koncepcioni i arsimit fillor, që këtë mars është miratuar pas katër muajve debate dhe polemika, do të zbatohet me fillimin e vitit shkollor 2021/2022. Së pari në klasën e parë dhe të katërt, për të cilët programet mësimore në të gjitha lëndët janë përpunuar tashmë, e më pas në etapa edhe në klasat tjera. Plani i MASH-it është që për pesë vite të reformohet gjithë arsimi fillor nëntëvjeçar. Sipas profesionistëve që e përpiluan koncepcionin e ri, përfitime janë numri i vogël i lëndëve, integrimi i tyre dhe mundësi për nxënësit që të përzgjedhin lëndë me çka do të respektohen interesat e tyre dhe mundësohet zhvillim i potencialeve të tyre.

Koncepcioni është përgatitur nga grupi i punës prej 12 anëtarëve, sipas të cilëve ai siguron mësim të orientuar drejt nxënies së thelluar dhe të paramenduar të bazuar në mendimin kritik dhe konkluzionin, përpilimin dhe ndërlidhjen logjike të informacioneve dhe zgjidhje të problemeve, në vend të mbajtjes mend të fakteve, që sot janë lehtë të arritshme, ndërsa janë të ekspozuara ndaj manipulimeve. Qëllimi është ajo që nxënësit e mësojnë të mund ta ndërlidhin me jetën e përditshme dhe ky është parimi udhëheqës sipas të cilit janë krijuar programet mësimore. Ato mbështeten edhe në inkluzivitetin, ndjeshmërinë/barabarësinë gjinore dhe interkulturalizëm, respektivisht integrimin e përmirësuar interetnik, Plani mësimor përmban lëndë të detyrueshme – nga tetë në klasën e parë deri në 11 në klasën e nëntë: Gjuhë amtare respektivisht gjuhë në të cilën nxënësi e ndjek mësimin: gjuhë maqedonase/shqipe/turke/serbe/boshnjake; më pas Gjuhë angleze. Shkenca natyrore (lënda përfshin tema nga biologjia, kimia, fizika dhe disa pjesë të gjeografisë) dhe matematikë. Këto lëndë janë më të përfaqësuara në të gjitha klasat në arsimin fillor, me fond të ndryshëm të orëve.

E detyrueshme është edhe Historia dhe shoqëria (përfshin përmbajtje nga historia, pjesë të gjeografisë, arsimit qytetar dhe disiplinave të tjera shoqërore-humaniste) dhe mësohet në vazhdimësi – së pari përmes lëndës Shoqëri (klasa I-III.), ndërsa nga klasa IV përmes lëndës Histori dhe shoqëri. Arsim figurativ, Arsim muzikor, Arsim fizik dhe shëndetësor janë, gjithashtu, të detyrueshme dhe secila prej këtyre tri lëndëve është e përfaqësuar në të gjitha klasat e arsimit fillor me fond të njëjtë të orëve.

Nga periudha e dytë arsimore (nga klasa IV deri VI) vendoset edhe lënda e detyrueshme Arsimi teknik dhe informatikë – që është përfaqësuar edhe në periudhën e tretë arsimore (nga klasa VII deri IX), por në klasat më të ulëta theksi vihet në arsimin teknik, e në klasat më të larta në arsimin informatik. Për nxënësit që nuk e ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase, në lëndët e detyrueshme do të jetë edhe lënda Gjuhë maqedonase që do të mësohet në periudhën e dytë dhe të tretë të arsimit fillor (nga klasa IV deri IX).

Programet mësimore që bashkojnë më shumë disiplina shkencore (Shkenca natyrore, në kuadër të programit mësimor çdo disiplinë shkencore paraqet pjesë (modul) të veçantë me rezultate të përcaktuara qartë nga nxënia, standarde për notim dhe kornizë kohore (numër i orëve) për realizim. Gjithashtu, programet mësimore për këto lëndë mund të kenë edhe modulin e përbashkët në të cilin disiplinat janë të bashkuara rreth rezultateve nga nxënia.

Sipas autorëve të Koncepcionit, mësimdhënia multidisiplinare dhe interdisiplinare mundëson që nxënësit t’i lidhin më lehtë përmbajtjet mësimore me realitetin, ta perceptojnë kuptimin e asaj që e mësojnë dhe t’i përjetojnë aktivitetet mësimore si relevante dhe të zbatueshme. Ky integrim kërkon që programet mësimore nga lëndët e ndryshme të mundësojnë realizim të temave të përafërta gjatë klasës së njëjtë. Bëhet fjalë për qasje holistike që gjatë mësimdhënies të një teme ose çështjeje/problemi të caktuar qendror, i thekson lidhjet mes proceseve/dukurive.

Rëndësia e ndonjë kuptimi mund të zgjerohet në atë mënyrë që do të vendoset lidhur me tema të tjera që përpunohen në klasat e mësipërme. Programet mësimore këtu e ndjekin parimin e të a.q. kurikulum spiral që mbështetet në përsëritjen e kuptimeve kryesore, por me ndërlikimin gradual të niveleve të diturisë për këto terme dhe/ose perceptim i kuptimit të tyre në kontekste të ndryshme. Për planifikimin dhe realizimin e suksesshëm të mësimit të integruar bëhet e ditur në bashkëpunimin e domosdoshëm mes mësimdhënësve të disiplinave të ndryshme.

Lëndët zgjedhor, nga ana tjetër, do t’i ofrojnë vetë shkollat dhe ato do të rezultojnë nga interesat e nxënësve, por merren parasysh edhe mundësitë e kuadrit mësimdhënës dhe resurset që i ka në dispozicion shkolla. Këto lëndë, sipas ekspertëve mund të ndihmojnë jo vetëm në zhvillimin e potencialeve të nxënësve, por edhe në rritjen e kënaqësisë së tyre nga qëndrimi dhe nxënia në shkollë dhe në rritjen e motivimit të tyre për arritjen e suksesit jashtë shkollës.

Sipas Koncepcionit, secila shkollë në mënyrë të detyrueshme do të duhet të ofrojë dy lista të lëndëve zgjedhore – njëra është për nxënie Gjuhë të dytë të huaj (gjuhë gjermane, franceze, italiane dhe ruse) nga klasa VI deri IX. Lista e dytë përfshin të ashtuquajturat Lëndë të lira zgjedhore që do t’i ofrojë shkolla, varësisht nga interesat e nxënësve dhe mundësitë e shkollës.

Te lëndët zgjedhore ofrohen edhe të tilla që janë të përkushtuara në përvetësimin e njohurive për simbolet kulturore-etnike e të gjithëve që jetojnë në shtet, si dhe në theksimin e interesave dhe vlerave të përbashkëta të të gjithë qytetarëve që janë pjesëtarë të bashkësive të ndryshme etnike. Ofrohet mundësia që nxënësit të përzgjedhin të mësojnë gjuhën e dytë zyrtare të komunës që gjendet në shkollë (gjuha shqipe, turke, serbe, rome). Për nxënësit të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme nga ajo amtare, shkolla u ofron mundësi për mësimin e gjuhës dhe kulturës personale duke filluar nga klasa e tretë, përmes përzgjedhjes së lëndës Gjuhë dhe kulturë të romëve/vllahëve/boshnjakëve/turqve/serbëve. Pas përzgjedhjes së bërë, lënda merr statusin e lëndës plotësuese mësimore. Të gjithë nxënësve që nuk e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, në periudhën e dytë (klasa VI-IX) u ofrohet mundësia të mësojnë gjuhë shqipe si lëndë plotësuese zgjedhore. Integrimi ndëretnik stimulohet edhe me aktivitete të përbashkëta mësimore dhe jashtëshkollore me grupe të nxënësve të përzier etnikisht të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme mësimore.

Lëndët e lira zgjedhore në periudhën e parë arsimore (nga klasa e parë deri në të tretën) do të realizohen në formë të aktiviteteve të lira që i udhëheqë mësimdhënësi klasor dhe si plotësim të asaj që është mësuar tashmë gjatë ditës/javës. Nxënësve nga periudha e dytë dhe e tretë e arsimit fillor (klasa IV-IX) u ofrohet të përzgjedhin prej katër kategorive të lëndëve të lira zgjedhore. Në kategorinë e parë janë lëndë për thellimin e diturisë nga lëndët e detyrueshme mësimore (programim, pikturim/vizatim/skulpturë, kulturë klasike, arsim seksual); kategoria e dytë – për mbështetje të interesave të nxënësve që nuk janë pjesë e lëndëve mësimore (fotografi, kopshtari/hortikulturë, punëtori teatrore, vallëzim, gatim, drugdhendje, modelim).

Në kategorinë e tretë janë lëndët e lira zgjedhore për mbështetje të zhvillimi personal dhe social të nxënësve (arsim për shkathtësi jetësore, punëtori multikulturore), ndërsa në të katërtën janë lëndët zgjedhore të karakterit sportiv-rekreativ (për shembull: futboll, basketboll, hendboll, ping-pong, joga, pilates).

Të gjitha shkollat fillore do të jenë të detyruara në çdo periudhë arsimore të ofrojnë së paku tri lëndë zgjedhore nga secila prej katër kategorive të përmendura. Përjashtim janë shkollat me numër të vogël të nxënësve në të cilat lista e lëndëve zgjedhore, në marrëveshje me nxënësit (respektivisht me prindërit/kujdestarët e tyre), mund të jetë më i kufizuar.

Nga lista e lëndëve të lira zgjedhore e përcaktuar në shkollë, nxënësit përzgjedhin dy gjatë një viti shkollor – një për gjysmëvjetorin e parë dhe tjetrin për gjysmëvjetorin e dytë. Deri në klasën e tretë lëndët e lira zgjedhore realizohen si aktivitete të lira. Në aktivitetet në lëndën konkrete zgjedhore marrin pjesë nxënës të cilët ndajnë interes të përbashkët, pa marrë parasysh nëse mësojnë në klasë/paralele të njëjtë. Lëndët e lira zgjedhore notohen në mënyrë përshkruese dhe arritje e nxënësve përfshihen në shtojcën e dëftesës.

Koncepcioni parashikon në shkollë të realizohen edhe disa lloje të aktiviteteve të detyrueshme jashtëshkollore. Ato mund të jenë afatshkurtra, si aksione (ekologjike ose humanitare, punë vullnetare dhe me leverdi shoqërore jashtë shkollës), shëtitje, ekskursione dhe punëtori të njëtrajtshme, ndërsa mund të jenë edhe më afatgjate, siç janë: klubet ekologjike, klubet sportive, teatri i shkollës, korri i shkollës dhe orkestër… Secili nxënës në periudhën e tretë (nga klasa e shtatë deri në të nëntën) është i detyruar të realizojë së paku 20 orë punë të dobishme shoqërore (individualisht ose së bashku me bashkënxënësit) gjatë një viti shkollor. Aktivitetet mund të jenë të ndryshme – aksion për pastrimin e mjedisit më të gjerë, lexim të librave fëmijëve në kopsht, grumbullimin e letrës së vjetër në fqinjësi, vizitim dhe ndihmë personave të moshuar ose personave me aftësi të kufizuara, etj.

Programet mësimore për të gjitha lëndët zhvillohen në bazë të standardeve kombëtare që janë të bazuara në kompetenca që nxënësit duhet t’i përvetësojnë në fund të arsimit fillor dhe ato paraqesin kombinim të diturive, shkathtësive dhe qëndrimeve. Standardet kombëtare kanë të bëjnë me tetë fusha rreth të cilave janë grupuar kompetencat: Arsimim gjuhësor (kanë të bëjnë me gjuhën amtare respektivisht gjuhën në të cilën ndiqet mësimi), Përdorim i gjuhëve të tjera, Matematika dhe shkencat natyrore, Arsimimi digjital, Zhvillim personal dhe social, Shoqëri dhe kulturë demokratike, Teknikë, teknologji dhe sipërmarrësi dhe Shprehje artistike dhe kulturë.

Për të gjitha lëndët (të detyrueshme dhe zgjedhore nga fusha e gjuhëve) Koncepcioni parashikon përpunimin e librave cilësor dhe/ose materialeve mësimore që janë tërësisht të harmonizuara me programin mësimor. Për nxënësit deri në klasën e tretë ato duhet të jenë në formë të shtypur, ndërsa në të gjitha klasat e sipërme mund të jenë në formë elektronike ose të shtypur. Plani është që format klasike të librave shkollorë (të arritshme në formë të shtypur ose elektronike) gradualisht të zëvendësohen me versionet digjitale. Për lëndët e detyrueshme Arsim muzikor, Arsim figurativ, Edukatë fizike dhe Arsim shëndetësor dhe Arsim teknik dhe informatikë nuk do të ketë libra shkollorë, por do të përdoren materialet mësimore, njëjtë si edhe për lëndët e lira zgjedhore, në mënyrë përkatëse me temën që e mbulojnë. Në përputhje me këto qëllime të Koncepcionit, është përgatitur edhe Propozim ligj për libra shkollorë dhe materiale mësimore që hasi në rezistencë që të digjitalizohen librat shkollorë dhe iniciativa për shprehjes në referendum të qytetarëve, pas çka Qeveria e tërhoqi nga procedura parlamentare, ndërsa MASH-i paralajmëroi se nga shtatori sërish do të organizojë debate për sugjerime të reja me të cilat do të përmirësohet teksti i propozuar.

Në raport me organizimin e mësimit, në Koncepcionin është bërë e ditur se derisa një pjesë e madhe e nxënësve mësojnë në shkolla me mësim në dy ndërrime, qëndrimi i detyrueshëm i nxënësve nga klasa e parë deri në të pestën në shkollë është pesë orë në ditë, prej të cilëve tre deri tre orë e gjysmë kalojnë në orë mësimore, ndërsa kohën e mbetur në aktivitete të tjera. Nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën qëndrojnë në shkollë nga gjashtë orë në ditë, prej të cilave katër deri katër orë e gjysmë janë në orët mësimore, ndërsa kohën e mbetur në aktivitete të tjera. Tendenca është që të gjitha shkollat në vend të punojnë në një ndërrim dhe kur kjo do të realizohet, koha e detyrueshme në shkollë, do të mund të vazhdohet në mënyrë që të krijohet hapësirë për më shumë aktivitete jashtë orëve të rregullta. Në mënyrë që të mund t’u dalin në ndihmë të gjitha detyrave, qëndrimi i mësimdhënësve në shkollë është nga gjashtë orë në ditë.

Кoncepcioni përmban edhe udhëzime për notimin e nxënësve dhe është sqaruar se informacionet për arritjet e tyre në nxënie do të jenë në formë të përshkrimit të shkurtër (te notat përshkruese), në formë të numrit (te notat numerike) ose në formë të kategorisë: „Dallohet”, „Është i kënaqshëm” ose “Nuk është i kënaqshëm” (te lëndët e lira zgjedhore).

Sfidë do të jetë notimi sumativ në lëndët mësimore në të cilat janë integruar më shumë disiplina dhe këtu mësimdhënësit që së bashku e planifikojnë mësimin duhet edhe të merren vesh rreth mënyrës së kontrolleve (teste, ese, detyra, prezantime me gojë). Secili mësimdhënës do të japë notim sumativ për modulin e tij dhe notat përfundimtare sumative për secilin modul shënohen në shtojcën e dëftesës, ndërsa në vetë dëftesën për lëndën shënohet një notë e përbashkët nga mësimdhënësit që e realizojnë mësimin nga lënda konkrete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat