Rreth 100 qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore ndodhen në Afganistan

Maqedonia

Rreth 100 qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore ndodhen në Afganistan

Më: 15 gusht 2021 Në ora: 15:50
MPJ, RMV

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut informon se në 24 orët e kaluara, në telefonat zyrtarë në MPJ janë lajmëruar disa qytetarë të cilët kanë familjarë apo miq në Afganistan, të cilët kanë shfaqur interes për gjendjen në Afganistan, për shkak të situatës së krijuar me tërheqjen e trupave amerikane dhe marrjen e shumicës së vendeve në kontroll nga ana e Talibanëve, njofton Portalb.mk.

“Megjithatë nuk është kërkuar ndihmë për tërheqjen e tyre. Nga udhëzimi i djeshëm i rrjetit tonë diplomatik për kontakt me Ministritë përkatëse të Punëve të Jashtme në vendet që ata i mbulojnë, sot një pjesë e Ambasadave dhe Konsullatave tashmë kanë vendosur kontakt dhe disa prej vendeve mike kanë shprehur gatishmëri që në rast të fluturimeve të organizuara të evakuimit të jenë në dispozicion edhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas informacioneve të fundit, rreth 100 qytetarë tanë janë identifikuar se janë të pranishëm në Afganistan dhe tani për tani të gjithë gjinden në lokacione të sigurta. Sipas informacioneve të fundit që i morëm nga kompanitë që i angazhojnë të punësuarit, ata nuk përballen me vështirësi dhe kanë të rezervuar fluturim për evakuim të punëtorëve të tyre, kurse një pjesë e tyre janë të transferuar në disa prej vendeve fqinje dhe transferimi i tyre për në shtëpi nuk është i diskutueshëm”, thonë nga MPJ e RMV-së.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se po monitoron nga afër situatën në Afganistan, për çka, është e formuar edhe një grup i veçantë në kuadër të ministrisë.

“Mbetemi në kontakt të vazhdueshëm dhe me Ambasadat e akredituara në vend, vendet e të cilit kanë prezencë logjistike në Kabull, prej ku vazhdimisht marrim informacione për gjendjen në terren”, shtojnë nga MPJ.

Ndryshe, Talibanët kanë hyrë në periferi të kryeqytetit afgan, Kabul, i cili është qyteti vetëm i madh në Afganistan që ende është nën kontrollin e qeverisë. Talibanët janë zotuar se nuk do ta marrin Kabulin përmes forcës, teksa bisedimet me zyrtarët e lartë afganë kanë filluar, për siç është thënë, transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat