Osmani takohet me Dendias, diskutojnë edhe për situatën në Afganistan

Maqedonia

Osmani takohet me Dendias, diskutojnë edhe për situatën në Afganistan

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 17:06
Foto nga takimi

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe homologu i tij grek Nikos Dendias në takimin e sotëm diskutuan për zhvillimet në Afganistan dhe ranë dakord që të jenë në komunikim të vazhdueshëm, të monitorojnë situatën dhe të reagojnë në kohë në rast të paraqitjes së sfidave të caktuara për një krizë të mundshme humanitare.

“E informova për vendimin tonë për të pranuar civilë nga Afganistani me qëllim të kujdesit të përkohshëm këtu kryesisht për gratë dhe fëmijët, por e vumë re mundësinë e një krize të mundshme humanitare që mund të jetë pasojë e një kolapsi politik ose ekonomik në Afganistan që mund të shkaktojnë pastaj një sërë reagimesh të tjera dhe atë mbi të cilën duhet të punojmë së bashku. Siç thashë në fjalimin tim hyrës, si fqinjët më të afërt me të cilët u trajtuam së bashku gjatë krizës së mëparshme të emigrantëve të vitit 2015-2016, por edhe tani si partnerë të NATO-s në rajon. Kështu që do të jemi në komunikim të ngushtë, do të monitorojmë situatën dhe në varësi se si do të dalin sfidat së bashku dhe ne do të përballemi me të”, deklaroi Osmani në konferencën për shtyp pas takimit.

Ai thotë se bashkëpunimi i përbashkët do të jetë në një nivel edhe më të lartë, kryesisht për shkak të përmirësimit të marrëdhënieve reciproke.

“Jo rastësisht përmenda reagimin e shpejtë të shërbimeve të zjarrfikësve. Kjo është arsyeja pse këto janë reagime konkrete në të cilat partneriteti i ri tregohet në vepër. Dhurimi i vaksinave, mbështetja për BE -në, nënshkrimi i Marrëveshjes për ndërlidhësin e gazit, rritja e shkëmbimit tregtar, janë të gjithë tregues që nuk vijnë vetvetiu. Ato nuk bien nga qielli. Ato janë një pasqyrim i marrëdhënieve të mira politike në të cilat investojmë, të cilat i ushqejmë çdo ditë. Sigurisht, jo gjithmonë ekziston një klimë politike në të dyja vendet për të mbështetur këto marrëdhënie të mira, por roli ynë është që të jemi në gjendje të realizojmë vizionin tonë në kushtet e klimës së pafavorshme. Dhe vizioni ynë është i qartë – partneritet strategjik midis dy vendeve tona, mbështetje reciproke, bashkëpunim ekonomik”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Osmani në përgjigjen e pyetjes së një gazetari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat