Të gatshme shkollat e Çairit për fillimin e vitit të ri shkollor

Maqedonia

Të gatshme shkollat e Çairit për fillimin e vitit të ri shkollor

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 17:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubin, ministren e Arsimit, Milla Carovska, përfaqësuesen e UNICEF-it në vend, Patricia Di Xhovani dhe me drejtoreshën e Shkollës Fillore Komunale “Liria”, Teuta Idrizi, inspektuan gatishmërinë e këtij institucioni për fillimin e procesit mësimor, posaçërisht në kohë pandemie dhe me prezencë fizike. Me këtë rast Ganiu theksoi se të gjitha shkollat fillore dhe të mesme që aderojnë në Komunën e Çairit janë të gatshme për fillimin e procesit arsimor në kushtet në të cilat gjendemi për momentin. 

“Përkujtova se me ditë të tëra ekipet tona komunale kanë bërë dezinfektimin e të gjitha institucioneve arsimore me mjete speciale, ndërsa gjatë ditës së djeshme përfunduam edhe me larjen me dorë dhe me makina speciale të oborreve të tyre. Komuna e Çairit që në fillimet e pandemisë ka vendosur thuajse 2 mijë paravanë mbrojtës për nxënësit, në mënyrë që ata të jenë sa më të mbrojtur, por edhe kuptohet personeli i shkollave ta ketë më lehtë të menaxhojë parandalimin e përhapjes së mundshme të Kovid-19”, shtoi kreu i Çairit, Visar Ganiu.

Ai ka sqaruar se ashtu siç e kanë informuar edhe drejtorët e shkollave, procesi arsimor do të zhvillohet sipas kushteve që janë paraparë nga ministritë gjegjëse dhe organet shëndetësore. Në hyrje do të bëhet matja e temperaturës, dezinfektimi e pastaj do të bëhet shpërndarja nëpër klasa.

“Kuptohet edhe mjetet e nevojshme që kërkohen me modelin e ri të arsimimit, tabela të mençura, projektorë, mjete didaktike, por edhe librat shkollorë për klasat e para janë siguruar. Me këtë rast dua të theksoj se shkollat e Çairit janë ndër ato që janë përkujdesur për të gjithë nxënësit duke krijuar edhe dhoma senzorike, tualete për fëmijët me nevoja të posaçme, janë angazhuar logopedë”, shtoi kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat