Dalja në votime mbi 14 për qind

Maqedonia

Dalja në votime mbi 14 për qind

Më: 31 tetor 2021 Në ora: 12:30
Votimi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, sipas Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe pa incidente por me disa probleme teknike në disa vendvotimet që kryesisht kanë të bëjnë me votimin që po zhvillohet me sistemin e ri biometrik - identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.

“Arsyet ku ka pasur ndërprerje kanë të bëjnë me mungesën e sinjalin për aktivizimin e aparati biometrik. Në disa vendvotime kishte ndërprerje më shumë se një orë ndërsa votimi ka vazhduar me metodën e vjetër deri në vënien në përdorim të aparateve biometrik”, ka deklaruar kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski.

Dashtevski tha se deri në orën 11:00 në votime kanë dalë 14.18 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pjesëmarrja me e lartë në votime është në komunat Rankovce (38.2%) ndërsa më e ulët në Saraj të Shkupit 5.19 për qind.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të dielën (31 tetor) u janë drejtuar qendrave të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Për dallim nga raundi i parë më 17 tetor, tani janë regjistruar shumë më pak probleme me votimin që po zhvillohet me sistemin e ri biometrik.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në balotazh kanë 1.353, 990 qytetarë, të cilët këtë të drejtë mund ta realizojnë në 2,481 vendvotime.

Në raundin e dytë do të votohet në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Në rundin e parë, më 17 tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, si dhe asambletë komunale të të gjitha 80 komunave.

Më së shumti komuna ka fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Semokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat