Filipçe tregon gjendjen e të lënduarve në spitalin Pirogov

Maqedonia

Filipçe tregon gjendjen e të lënduarve në spitalin Pirogov

Nga: M.H. Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 09:12
Foto nga konferenca

(E plotësuar 09:37) - Të shtatë të lënduarit që pas aksidentit janë shtruar në spitalin Pirogov në Sofje janë në gjendje stabile shëndetësore dhe askush nuk është në rrezik për jetën, tha ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Filipçe pas vizitës në spital së bashku me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka theksuar se vetëm një pacient ka tronditje të trurit për shkak të të cilit duhet të bëhen analiza shtesë dhe do të përcaktohet nëse do të duhet operim.

“Ne vizituam pacientët. Bëhet fjalë për lëndime të lehta, të riparuara nga kolegët tanë, për të cilat dëshiroj të shpreh mirënjohjen time. U pajtuam që këto ditë të jemi në kontakt që pas stabilizimit të plotë të gjendjes, të mund të transferojmë pacientët për trajtim në Shkup”, tha Filipçe.

Sipas tij, në mesin e viktimave ka disa anëtarë të një familjeje, nga të cilët më e vogla është një vajzë e moshës 16 vjeç dhe të gjithë të tjerët janë të moshës 40-50 vjeç.

***

Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrat e Shëndetësisë dhe Punëve të Jashtme Venko Filipçe dhe Bujar Osmani, janë duke dhënë deklaratë të përbashkët nga spitali Pirogov në Sofje, ku janë shtruar të mbijetuarit nga aksidenti i autobusit që ndodhi mbrëmë në autostradën Struma në Bullgari.

Nga përplasja humbën jetën të paktën 45 persona, shumica prej tyre fëmijë dhe të rinj, shkruan MIA, përcjell “Bota sot”.

Aksidentit i kanë shpëtuar shtatë pasagjerë të autobusit të cilët janë shtruar në spitalin në Pirogov.

Autobusi i përkiste agjencisë së udhëtimit Besa Trans në Saraj dhe transportonte pasagjerë që ktheheshin nga një ekskursion nga Stambolli.

Autobusi me 52 persona në bord ka hyrë në Bullgari nga Turqia pak pas orës 21:00.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës tre në autostradën Struma në drejtimin Sofje-Bllagoevgrad. Autobusi goditi gardhin mbrojtës dhe mori flakë. Hetimi është duke u zhvilluar, ndërsa arsye të mundshme janë mosfunksionimi teknik i mjetit ose gabim njerëzor i drejtuesit të mjetit./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat