Janë transportuar 1.3 milionë udhëtarë për 11 muaj në aeroportin e Shkupit dhe atë të Ohrit

Maqedonia

Janë transportuar 1.3 milionë udhëtarë për 11 muaj në aeroportin e Shkupit dhe atë të Ohrit

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 20:46
Foto ilustrim

Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe aeroporti Shën Apostoli Pal Ohër shërbyen 1,3 milionë (1.256.263) udhëtarë gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, që është rritje për 71 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo, sipas kryesisë së koncesionerit të aeroporteve, tregon për shenjat e para të rikuperimit të komunikacionit udhëtues, pas ndikimit negativ të COVID-19 ndaj sektorit të aviacionit. Njëkohësisht, në 11 muajt e vitit 2021, në dy aeroportet e vendit janë shërbyer 13.679 fluturime, që është 63 për qind më shumë në krahasim me vitin 2020.

Megjithatë, siç theksoi Metin Batak, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni, para nesh ka shumë sfida, sepse komunikacioni ajror edhe më tej shumë do të varet nga restriksionet për udhëtim me aeroplan, të imponuara nga shtete të ndryshme, përderisa aeroportet, udhëtarët dhe kompanitë ajrore do të tentojnë t’u adaptohen ndryshimeve të shpeshta të rregullave në bazë të politikave të ndryshme nacionale shëndetësore.

Edhe pse trendi momental është në rritje dhe dy aeroportet e vendit shënojnë rritje në raport me numrin e udhëtarëve prej 71 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, niveli i komunikacionit udhëtues ende është – 49 për qind, përderisa niveli i numrit të fluturimeve është 32 për qind, krahasuar me numrat e arritur në periudhën e njejtë të vitit 2019, e cila konsiderohet si vit referent në komunikacionin ajror.

Batak theksoi se rikuperimi i tregut ajror të vendit duhet të lëvizë në kuadër të parashikimeve të Këshillit ndërkombëtar të aeroporteve (ACI) për lëvizjen e komunikacionit ajror në nivel botëror, skenari i të cilit optimist projekton se ky vit do të përfundojë me 56 për qind të komunikacionit në vitin 2019, përderisa në vitin 2022 komunikacioni ajror në nivel botëror do të jetë në nivel të – 23 për qind nga viti 2019.

Statistikat për komunikacionin ajror të TAV Maqedoni për 11 muajt e vitit 2021 tregojnë se destinacione më të shpeshta nga Aeroporti ndërkombëtar Shkup janë Stambolli (12 për qind), Cyrihu (7,7 për qind), Baseli (7,3 për qind) dhe Vjena (7 për qind), përderisa nga aeroporti i Ohrit Shën Apostoli Pal janë: Cyrihu (33,2 për qind), Baseli (21,7 për qind), Memingemi (18,2 për qind), Vjena (9,8 për qind) dhe Dortmundi (9,8 për qind).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat