Asani: Shqiptarët e humbën jetën duke i shpëtuar hebrenjtë

Maqedonia

Asani: Shqiptarët e humbën jetën duke i shpëtuar hebrenjtë

Më: 27 janar 2022 Në ora: 20:01
Skënder Asani

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore i Shqiptarëve në Shkup, Skënder Asani, ka treguar se si hebrenjtë kanë ardhur në trojet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ikur nga nazistët.

Ai ka theksuar se hebrenjtë së pari kishin shkuar në Shkup, më pas, ishin dërguar në Kosovë dhe në Shqipëri.

“Rrugëtimi i hebrenjve ishte nga Serbia, nga Bullgaria dhe nga Greqia, që të gjithë vendoseshin në qendrën e Maqedonisë së Veriut, më pas shqiptarët që jetonin këtu, i dërgonin ata për në Prishtinë dhe Tiranë”, ka thënë Asani.

Ai ka potencuar se në institutin ku punon kanë shkruar libra të shumtë për jetën mes hebrenjve dhe shqiptarëve.

“Kemi botuar shumë libra dhe memuare që i kemi plasuar në shumë vende të botës. Ne kemi shkuar në Izrael dhe kemi takuar mbi 70 familje, të cilët na kanë treguar të gjitha detajet e tyre dhe të vërtetën”.

“Jemi munduar të nxjerrim të vërtetën e duhur që shqiptarët kanë bërë në shpëtimin e hebrenjve. Ata kanë rrezikuar vetveten, sipas kanunit, miku është nën garancën e tij. Ata rrezikuan jetën e tyre, disa shqiptarë, duke shpëtuar hebrenjtë, kanë dhënë jetën e tyre”, ka thënë Asani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat