Kovaçevski-Kyuchyuk: Të tregojmë vullnet të mirë nga të dyja palët për të kapërcyer dallimet

Maqedonia

Kovaçevski-Kyuchyuk: Të tregojmë vullnet të mirë nga të dyja palët për të kapërcyer dallimet

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 18:46
Foto nga takimi

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian dhe eurodeputeti nga Bullgaria Ilhan Kyuchyuk u takua sot me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili është në vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel që nga marrja e detyrës, njoftojnë nga Kabineti i eurodeputetit.

Kovaçevski është në një vizitë dyditore në selinë e BE-së dhe NATO-s në Bruksel me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani dhe zv. kryeministrin për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq.

Fokusi i bisedimeve mes Kovaçevskit dhe Kyuchyuk ishte kthimi i besimit dhe dialogut, procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe iniciativat për shkëmbim kulturor dhe arsimor ndërmjet vendeve.

“Është e rëndësishme që të gjithë ne ta bëjmë procesin më pak emocional, më pragmatik dhe të menaxhueshëm. Të tregojmë vullnet të mirë nga të dyja palët për të kapërcyer dallimet në mënyrë që të mund ta drejtojmë energjinë tonë drejt zhvillimit ekonomik dhe social. Pika e nisjes në bisedë duhet të jetë integrimi dhe një vizion i përbashkët për të ardhmen tonë”, tha Kyuchyuk.

Dimitar Kovaçevski shprehu shpresë se rinovimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve do të çojë në rezultate pozitive. Sipas tij, për qytetarët e të dy vendeve u bë e qartë se po bëhen përpjekje të shumta për vazhdimin e dialogut dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe ky proces nuk duhet të ndalet.

Eurodeputeti foli në mbështetje të bashkëpunimit në nivelet e medias, universitetit dhe biznesit në muajt e fundit, duke thënë se shembujt e mirë bashkojnë popujt dhe eliminojnë idetë nacionaliste.

Sipas tij, lidhja duhet të thellohet në nivel universitetesh dhe qendrash arsimore, të cilat së bashku duhet t’i përgatisin të rinjtë për sfidat e së nesërmes, njoftojnë nga Kabineti Kyuchyuk./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat