Mbi 170 euro për një poç elektrik

Maqedonia

Mbi 170 euro për një poç elektrik

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 19:16
Fotografi ilustruese.

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, të mërkurën ka nisur publikimin, siç tha, të aferave korruptive të ish-kryetarëve të komunave të Maqedonisë së Veriut, kuadro të Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Nisma e opozitës maqedonas vjen tre muaj pas zgjedhjeve lokale, në të cilat VMRO-ja fitoi shumicën e komunave. Tani kjo parti tha se “po zbulon skandalet në punën e ish-kryetarëve të komunave.

Kjo parti akuzon Velimir Smilevskin, ish-kryetarin e Butelit, një komune urbane të Shkupit, për shpërdorim të rreth 190 mijë euro në një tender për ndriçimin rrugor në këtë komunë.

Sipas VMRO-DPMNE-së, kjo komunë, tenderin që parashihte çmime të ulëta për disa prodhime për energji ia kishte ndarë kompanisë “Previz” nga Shkupi, por në vend të çmimeve të ulëta, komuna, siç pretendon VMRO-ja, ka paguar çmime shumë të lartë. Për shembull për një poç elektrik që kushton 1.8 denar apo rreth 3 centë, ajo ka paguar 10,881 denarë, apo 176 euro. Sipas VMRO-së, çmimi i tenderit ka qenë 6,000 herë më i shtrenjtë sesa çmimi real.

Pagesa të ngjashme, sipas kësaj partie, janë paguar edhe për prodhime tjera për ndriçimin rrugor.

“Ka dyshime të bazuara dhe kemi fakte se pajisjet e shtrenjta gjithmonë kishin prioritet gjatë blerjes dhe në këtë rast përveç se janë keqpërdorur tenderët, janë harxhuar edhe shuma të majme të parave për pasurimin e personave të caktuar”, ka deklaruar Mile Letkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ai ka kërkuar nga institucionet që të reagojnë lidhur me këtë rast, pasi, sipas tij, “bëhet fjalë për krim klasik përmes të cilit fondet e komunës shkojnë në llogari të kompanive private dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi penale”.

“I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë këtë tender. Prokuroria Publike të veprojë në bazë të autorizimeve të saja, kurse policia financiare të hetojë se ku kanë përfunduar paratë që janë derdhur në llogarinë e kompanive private. Bëhet fjalë për para të qytetarëve dhe llogari patjetër se duhet të ketë”, ka deklaruar Letkov.

Ish-kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski, nuk ka komentuar akuzat e opozitës, ndërsa nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, thanë për Radion Evropa e Lirë se do ta shqyrtojnë rastin nëse VMRO-ja dorëzon pretendimin e saj për shpërdorim të fondeve në këtë komunë.

Bashkimi Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, beson se pretendimet e publikuara nga VMRO-DPMNE-ja janë bazuar edhe në përgjimeve të bisedave telefonike, që sipas tij nënkupton se “kjo aferë do të vazhdojë të ekzistojë dhe fajtorë janë institucionet që nuk arritën të mbyllin çështjen e bisedat e përgjuara”.

Edhe pse me ligj përgjimet janë të ndaluara, megjithatë, vazhdojnë të përdoren nga individë, parti e grupe tjera për interesa të ndryshme, thotë Selmani.

“Këto materiale janë transferuar te grupe njerëzit, tek individë, kriminelë, parti politike dhe tani çdokush në momente të caktuar i shfrytëzon ato, sepse kjo aferë nuk ka marrë epilog gjyqësor, prandaj kjo duhej të trajtohej si vepër penale. Është një problem shumë i madh që mund të godasë edhe individë dhe të keqpërdoret, por edhe të ketë kërcënime të ndryshme mes individëve dhe funksionarëve të ndryshëm, partive e kështu me radhë”, thotë Selmani.

Ai thotë se tani që kjo bën VMRO-ja është e pamoralshme, pasi në rast se posedon fakte për keqpërdorime duhet t’i dorëzojë në organet gjyqësore dhe jo t’i publikojë, siç bënte LSDM-ja në vitin 2013.

“Kjo që e bënë VMRO-ja është e pamoralshme, pasi në situata të caktuara apo në të kohë ajo ngrinte padi penale për veprime të paligjshme nga opozita e atëhershme dhe tani kjo parti e bënë të njëjtën, sulmon edhe pse e dinë se këtë e bënë në mënyrë të paligjshme. Çdokush që posedon fakte për raste të tillë, së pari duhet t’i drejtohet gjykatës”, shprehet Selmani.

Ajo që njihet si “aferë e përgjimeve” ishte publikuar për herë të parë në vitin 2013 nga ish-lideri i atëhershëm i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Ai kishte publikuar qindra biseda telefonike të zyrtarëve të Qeverisë, që atë kohë drejtohej nga Nikolla Gruevski. Me këto përgjime, opozita pretendonte për shpërdorime të shumta nga ana e pushtetit. Në këto përgjime ishin të përfshirë mbi 100 ish-zyrtarë për shpërdorime të ndryshme, por shumë prej tyre ende nuk janë zbardhur ndërsa edhe për ato që kishte epilog gjyqësor, ka zyrtarë që nuk ndodhen në vuajtje të dënimit, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, i cili është arratisur në Hungari./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat