Qeveria e RVM-së: Qeveria është maksimalisht e përkushtuar për gjetjen e tregjeve alternative për produktet bujqësore

Maqedonia

Qeveria e RVM-së: Qeveria është maksimalisht e përkushtuar për gjetjen e tregjeve alternative për produktet bujqësore

Më: 6 prill 2022 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

Zëdhënësit e Qeverisë, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha në konferencën e sotme për shtyp, njoftuan për vendimet dhe konkluzionet e miratuara nga mbledhja e rregullt e36-të e Qeverisë dhe u përgjigjën pyetjeve me interes për opinionin dhe mediat.

Zëdhënësit informuan se në mbledhjen e djeshme të 36-të, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi Informacionin dhe e aprovoi Planin vjetor të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me Planin vjetor të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për lidhjen e kontratave për prokurim të mallrave, shërbimeve dhe punimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zëdhënësit informuan se mjetet për planin vjetor janë planifikuar në Buxhetin e Mbrojtjes për vitin 2022, i cili është në dispozicion të publikut, si dhe informacioni se në Buxhetin e Mbrojtjes për vitin 2022 mbi 30% e mjeteve parashikohen për modernizimin e Armatës. Për këto prokurime të planifikuara për këtë vit janë parashikuar 48 milionë euro.

Në pyetjen për aktivitetet diplomatike të ndërmarra për të kërkuar tregje të reja alternative për produktet maqedonase, në një kohë kur tregu rus po mbyllet, zëdhënësit theksuan se ministritë për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave dhe Ministria e Punëve të Jashtme në këtë periudhë janë maksimalisht të fokusuara në sigurimin e plasimit të produkteve bujqësore që deri tani janë eksportuar në Rusi dhe Ukrainë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është në komunikim me ministrat dikastrial në Evropë dhe rajon, me të gjitha odat e ekonomisë , me partnerët ekonomikë të Ministrisë, me përpunuesit e perimeve dhe frutave për të ruajtur stabilitetin e eksportit dhe për të patur një plasman pa pengesa të çdo produkti bujqësor. Të gjitha opsionet konsiderohen në fushën e eksportit si produkte të freskëta ose për përpunim për industrinë vendase.

Zëdhënësit informuan se në kuadër të Konferencës Ministrore në Berlin, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikolovski dhe ministri i Bujqësisë i Republikës së Bullgarisë, Ivan Ivanov, arritën marrëveshje për sigurimin e grurit nga Bullgaria në Maqedoninë e Veriut, dhe sasitë do të specifikohen më tej pasi të identifikohen nevojat e industrisë vendase të mullirit.

Sa i përket importit të grurit nga Republika e Serbisë, siç theksuan zëdhënësit, ministritë dikastriale të dy vendeve janë në komunikim të vazhdueshëm dhe duke patur parasysh se në Republikën e Serbisë ka pasur zgjedhje, pritet që këto ditë Qeveria serbe të heqë ndalesën për vendin tonë për eksport të grurit, misrit, miellit dhe vajit për ushqim dhe për të dorëzuar sasitë e rëna dakord të grurit ndërmjet partnerëve ekonomikë të dy vendeve për të ruajtur stabilitetin e tregut deri në fillimin e korrjes.

Interesimi i mediave në konferencën për shtyp ishte nëse është mbajtur takimi ndërmjet përfaqësuesve të BNJVL-së dhe Qeverisë dhe zëdhënësit konfirmuan se takimi është mbajtur dhe se është biseduar për intensifikimin e procedurës për formimin e grupit punues për vazhdimin e procesit të decentralizimit si model i financimit të vetëqeverisjes lokale.

Ata bënë të ditur se në takim është diskutuar edhe për kërkesën për financimin e arsimit, mbrojtjes sociale të fëmijëve dhe mbrojtjes nga zjarri, si dhe kërkesat në fushën e planifikimit urbanistikës, ndërtimtarisë dhe tokës ndërtimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat