Greva vazhdon, Qeveria ka ofruar 10% rritje të rrogës, SASHK nuk pranoi

Maqedonia

Greva vazhdon, Qeveria ka ofruar 10% rritje të rrogës, SASHK nuk pranoi

Më: 17 prill 2022 Në ora: 16:50
Greva vazhdon, Qeveria ka ofruar 10% rritje të rrogës, SASHK nuk pranoi

Greva e të punësuarve në arsim dhe çerdhe vazhdon, informoi kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), Jakim Nedelkov i cili tha se nga Qeveria kanë marrë ofertë gojore për rritje të pagave për 10% me rebalancin e buxhetit në maj ose qershor.

“Rritja e pagave prej 10% fare nuk korrespondon me rritjen e pagës minimale dhe nuk është stimulim përkatës për kthimin e dinjitetit. Mbi 95% e organizatave sindikale janë deklaruar për hedhjen poshtë të ofertës gojore”, deklaroi Nedelkov.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot me një postim në Facebook u bëri thirrje mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme që të vazhdojnë procesin arsimor, sepse është në interesin më të mirë të fëmijëve.

“Interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë në rend të parë, sepse e drejta për arsimim e çdo fëmije është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Humbja e mësimit në kushte si kjo pandemi, kur Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës bënë përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor, nuk i sjell dobi askujt, e më së paku nxënësve”, ka shkruar Shaqiri.

Në postimin në Facebook, Shaqiri thekson se nxënësit duhet të kthehen në shkolla, aty ku e kanë vendin. Mësimdhënia e rregullt, sipas tij, nevojitet më së shumti si mbështetje për nxënësit në një pjesë shumë të rëndësishme të jetës së tyre.

“Ata kanë nevojë për ju tani në këtë periudhë kur përgatiten për të vazhduar shkollimin në shkolla të  mesme, për të dhënë provimet profesionale dhe maturën shtetërore, nga e cila varet e ardhmja e tyre e mëtejshme arsimore dhe regjistrimi në universitete brenda dhe jashtë vendit. Me një proces të ndërprerë arsimor, e gjithë kjo nuk mund të realizohet brenda afateve të përcaktuara dhe është në dëm të nxënësve të klasave të nënta dhe maturantëve aktualë, por edhe gjithë nxënësve tjerë”, ka thënë Shaqiri në Facebook.

Ndryshe, prej më 11 prill SASHK ka filluar grevën në çerdhe dhe shkolla, pasi Qeveria nuk i ka rritur rrogat e mësimdhënësve dhe edukatoreve pas rritjes së rrogës minimale.

“Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë”, thonë nga SASHK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat