Deponia “Rusino” përballet me probleme financiare

Maqedonia

Deponia “Rusino” përballet me probleme financiare

Më: 18 prill 2022 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Pas vënies në funksion të Ndërmarrjes Rajonale “Rusino-Pollog”, e njëjta vazhdon të përballet me probleme të shumta. Buxheti i ndarë për këtë ndërmarrje nga ana e komunave nuk është i mjaftueshëm. Aktualisht, për një ton mbeturina, komunat ndajnë 2.5 euro subvencionim për ndërmarrjen dhe po aq paguajnë koncesionerët nëpër komuna që bartin mbeturina në deponinë Rusino. Drejtori i ndërmarrjes rajonale “Rusino-Pollog”, Besim Dogani, shprehet se do të propozojë të rritet buxheti për këtë ndërmarrje për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës.

“Në këtë tremujor të parë, u vërejt që buxheti që ishte planifikuar për ndërmarrjen rajonale ‘Rusino-Pollog’ nuk ishte i mjaftueshëm për shkak të çmimit të ulët për ton mbeturina dhe prandaj kemi propozuar para kryetarëve të komunave të Pollogut rritjen e çmimit të tonelatës për deponim të mbeturinave ose rritje të subvencionimit nga ana e komunave, sepse harxhimet më të mëdha shkojnë për pagat e punonjësve dhe mirëmbajtjen e deponisë, që përfshinë rrafshimin dhe mbulimin e mbeturinave. Në këtë pjesë, kostot janë të larta sidomos tani kur kemi rritje enorme të çmimit të derivateve të naftës dhe janë të papërballueshme për ndërmarrjen tonë”, tha Dogani.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ndërkohë nënvizon se të gjithë komunat duhet të angazhohen që ndërmarrja e përbashkët rajonale të mbijetojë. “Ndërmarrja Rusino patjetër të mbijetojë sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi në një periudhë të rëndë të krizave edhe shëndetësore edhe energjetike, por tash edhe lufta në Ukrainë, e cila ka pasoja në shtetet sikurse që jemi ne – pra shtetet e varfra. Të gjithë e dimë këtë krizë dhe prandaj pagesat janë më të ulëta ndaj ndërmarrjes rajonale. Megjithatë, duhet ta mendojmë të gjithë, me subvencione apo me mënyra tjera që ajo të funksionojë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Nëse kjo ndërmarrje falimenton, probleme do të kenë shumë komuna tjera me mbeturinat, kurse për Gostivarin nuk do të jetë problem”, tha kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen – të ndërtohet deponi tjetër me standard evropiane dhe që do të plotësojë kushtet edhe sa i përket mbrojtjes së ambientit. Aktualisht të gjitha komunat e Pollogut që kanë caktuar koncesionerë për grumbullimin e mbeturinave të njëjtat dërgohen në deponinë Rusino, kurse më herët ata janë dërguar në deponinë Drislla në Shkup, ku edhe harxhimet kanë qenë shumë më të larta. Po ashtu, problem në vete është se disa komuna vazhdojnë që të mos shlyejnë detyrimet ndaj kësaj ndërmarrje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat