Dauti: Qeveria nuk i ka përmbushur as premtimet e veta, e lëre më kërkesat e punëtorëve

Maqedonia

Dauti: Qeveria nuk i ka përmbushur as premtimet e veta, e lëre më kërkesat e punëtorëve

Më: 21 prill 2022 Në ora: 15:08
Ilire Dauti

Deputetja nga rradhat e Aleancës për Shqiptarët Ilire Dauti përmes një postimi në rrjetin social facebook ka akuzuar qeverinë se ajo nuk i ka përmbushur premtimet e veta, e lëre më kërkesat e punëtorëve. Gjithashtu ajo potencon faktin se kemi një rritje në përmasa shumë të mëdha të shpenzimeve që duhet t’i përballojë punonjësi, ndërsa rritje të pagës nuk ka ende.

Sipas saj  në buxhetin e vitit 2022 mes tjerash u tha se mbi 500 milionë euro janë rezervuar për pagat e punonjësve të administratës shtetërore. Pra, në buxhetin e vitit 2022 krahasuar me atë të vitit 2021 janë planifikuar 17 milionë euro më shumë për pagat e administratës (mjete financiare të destinuara për rritjen e pagës së punonjësve në administratë).

U planifikua një rritje prej 5% në sektorin e shëndetësisë, 7% në atë të kulturës dhe arsimit, si dhe 15% në gjyqësor dhe prokurori. Gjithashtu u tha se janë paraparë mjete financiare në vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro për punësime të reja në të gjithë sektorët e administratës publike.

Por, gjer tani, pra gjer në pagat e muajit mars në këto sektorë, pos premtimeve, punonjësit nuk kanë përfituar asnjë rritje të pagave.

Në anën tjetër, në një vështrim të publikuar nga enti statistikor në vend, indeksi i çmimeve të produkteve industriale në tregun vendas në muajin shkurt të vitit 2022 krahasuar me muajin shkurt të vitit 2021 rezulton se ka një rritje të çmimeve prej 33,2 % në grupin e energensëve (energji elektrike, karburantë të naftës, ngrohje qendrore ), rritje prej 35,9% shënuan produktet kapitale, 22,1% shënuan rritje çmimet në sektorët industriale (mineralet, industria e rëndë etj), 6,5 % ka rritje të çmimeve të produkteve të konsumit të gjerë si dhe 9,9% shënuan rritje çmimet e shportës konsumuese .

Siç shihet, kemi një rritje në përmasa shumë të mëdha të shpenzimeve që duhet t’i përballojë punonjësi, ndërsa rritje të pagës nuk ka ende. Pra, nga kjo rezulton se punonjësit në administratë çdo ditë e më tepër po varfërohen, çdo ditë e më teper po u bie fuqia blerëse dhe për këtë shkak duhet në mënyrë urgjente të ketë rritje të pagave, ka shkruar Ilire Dauti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat