​Kuvendi i Maqedonisë, pa aktivitet për shkak të buxhetit

Maqedonia

​Kuvendi i Maqedonisë, pa aktivitet për shkak të buxhetit

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Kuvendi do të jetë pothuajse pa aktivitete në të gjithë periudhën e rishikimit të buxhetit, ashtu siç e parashikon edhe rregullorja.

Opozita është pjesë e këtij procesi megjithëse mban në fuqi masën e bllokimit aktiv të ligjvënësit me të cilën bllokon të gjitha, siç i quan ligjet e dëmshme për qytetarët.

Ky bllokim aktiv e ka lënë ligjvënësin që më herët me punë të filluara por rrallë të kryera.

Që nga fillimi i bllokimit aktiv të Kuvendit më dhjetë maj, janë filluar 4 seanca të reja dhe përveç seancës me pyetjet e deputetëve, nuk është përfunduar asnjëra nga seancat tjera.

Gjatë gjithë muajit maj dhe dy javëve të para të qershorit, deputetët kanë kaluar gjithsej 14 ditë në seanca plenare. Vetëm një ditë në seancë plenare, ligjvënësit i kushton nga 20 mijë deri 30 mijë euro, përfshirë edhe shpenzimet e rrugës së deputetëve.

Deri tani, 5 herë deputetët janë mbledhur vetëm për seancën 71 por asnjëra nga 47 pikat e saja nuk është shqyrtuar. Kjo nënkupton që vetëm për seancën 71 deri tani janë shpenzuar të paktën 100 mijë euro ku futen edhe shpenzimet e rrugës së deputetëve.

Paratë e shpenzuara nga buxheti janë shumë më të larta nëse llogaritet edhe para e deputetëve e cila varion nga 1 mijë deri 1 300 euro.

Shpenzimet, seancat plenare

10 maj – 14 qershor: 4 seanca të reja, 3 prej të cilave nuk janë përfunduar

Maj – qershor: 14 ditë në seanca plenare

1 ditë në seancë plenare: 20-30 mijë euro (përfshirë shpenzimet e rrugëve)

Seanca 71 është vazhduar 5 herë: më shumë se 100 mijë euro

Pushteti fajëson opozitën për bllokime kurse opozita e cilëson si të suksesshëm bllokimin dhe thotë se do të vazhdojë në këtë mënyrë.

“Bllokimi aktiv është zbatuar goxha mirë dhe do të vazhdojë të zbatohet. Kjo vërehet nga acarimi i personave në krye, nga kryetari i Kuvendit, nga nervoza që ka LSDM-ja, etj. Shihet se ata nuk kanë shumicë serioze me të cilën të mund të funksionojnë, praktikisht shihet se deputetët e VMRO-DPMNE-së, të opozitës, janë shumë të vlefshëm”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE-ja nuk e ka caktuar për sa kohë do ta bllokojë ligjvënësin. Por, edhe para këtij bllokimi aktiv, ligjvënësi nuk ka qenë aspak më produktiv. Duke u arsyetuar kryesisht me pandeminë, shumë seanca komisionesh dhe seanca plenare kanë mbetur me muaj të pa përfunduara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat