Ministri Besimi: Ribalansi i buxhetit të Maqedonisë po bëhet në kohë krize dhe konflikti

Maqedonia

Ministri Besimi: Ribalansi i buxhetit të Maqedonisë po bëhet në kohë krize dhe konflikti

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 22:26
Fatmir Besimi

Ribalanci i buxhetit për vitin 2022 vjen pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili prishi tregjet në Evropë, që është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut, një konflikt i hapur i cili ende po thellon krizën ekonomike dhe ushqimore në shumë vende.

“Për shkak të krizës kemi filluar të përgatisim një paketë masash në muajin mars”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi në një intervistë në Tv Sitel.

“Kjo që po bëjmë tani me buxhetin plotësues është përgjigje ndaj atyre masave, që do të thotë përshtatje në buxhet. Edhe pse kishim dhënë vetëm 50 milionë euro, si fillim, shkuam me një paketë që vlente shumë më tepër. Rikonceptimet tani janë duke u harmonizuar në Buxhet, për t’u kthyer në pjesën e ruajtjes së rritjes dhe mbështetjes. Për shembull, nga Programi i Investimeve për Mbështetjen e Zhvillimit janë marrë rreth 11 milionë euro. Tani ata po kthehen. Pastaj kemi 2,4 miliardë denarë që shkojnë për ndihmë minimale të garantuar, 32 milionë euro janë dhënë për bujqësi dhe masa tjera”, tha Besimi.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për 76 milionë euro, të cilat qëndrojnë si bazë për programin antikrizë, por shumë më tepër.

Ministri Besimi shtoi se masat për kategoritë më vulnerabël, por edhe për ekonominë, ende nuk janë hartuar.

“Buxheti suplementar përfshin ndryshime në pagën minimale, parasheh rritje prej pesë përqind të pagave në shëndetësi dhe polici, shtatë përqind për arsimtarët në arsimin e lartë, 15 përqind në gjyqësor dhe avokatë dhe 15 përqind në arsimin e mesëm dhe kopshte”, thotë Besimi.

Ministri bëri të ditur se deri në fund të vitit do të ketë një riorganizim buxhetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat