Interpelanca ndaj Xhaferit, jo zyrtarisht në rend dite më 30 qershor

Maqedonia

Interpelanca ndaj Xhaferit, jo zyrtarisht në rend dite më 30 qershor

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 18:41
Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i kundërpërgjigjet VMRO-DPMNE-së ndaj arsyetimeve në propozimin për interpelancë kundër tij, shkruan Alsat.

Xhaferi akuzon se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së i udhëhequr nga koordinatori i tyre, Nikolla Micevski qëllimisht plasojnë të pavërteta në opinion me qëllim përfitimin e pikëve politike ditore. Sipas tij, më 25 maj dyert e sallës ku po zhvillohej seanca plenare u mbyllën për të verifikuar kuorumin për punë.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së, gjithsesi janë të vetëdijshëm se për qëllime ditore-politike, të nxitur nga selia e tyre partiake, plasojnë të pavërteta të vrazhda me konstatimet në interpelancë se i cenoj Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit. Në mbrëmjen e 25 majit, dyert e sallës ishin të mbyllura që të munden shërbimet e Kuvendit të përcaktojnë numrin e deputeteve të pranishëm, respektivisht nëse ka kuorum për të kaluar në votim”, thuhet në përgjigjen e kreut të Kuvendit.

Xhaferi në përgjigjen e adresuar thekson miratimin e Kodit Etik dhe raportet e fundit vjetore të Entit Shtetëror të Revizionit për transparencë institucionale. Deputetët e VMRO-së i akuzon se në kohën kur nuk e njihnin si kryetar Kuvendi, nuk i hiqeshin nga kabineti për punët e tyre private.

“E vërtetë e pjesshme është edhe ajo se VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni, në një periudhë kur nuk patën sukses me qëllimet e tyre të mbrapshta më 27 prill të vitit 2017, nuk ishin të pranishëm në koordinimet te mua, edhe pse ishin gjithmonë të ftuar sipas rregullit. Por ama, është e vërtetë absolute se koordinatori dhe deputetët e këtij Grupi Parlamentar, edhe krahas mos pranisë në koordinimet, si manovër e tyre politike para opinionit, në atë periudhë, praktikisht nuk dilnin prej kabinetit tim, kur vinin bile edhe për nevoja dhe kërkesa private”, thuhet në përgjigjen e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi.

VMRO-DPMNE-ja nuk deshi të komentojë përgjigjen e Xhaferit, me arsyetimin se kundërpërgjigjet e tyre do t’i thonë në seancë për interpelancën. Jo zyrtarisht seanca do të thirret më 30 qershor.

VMRO-DPMNE-ja si e vetme nuk gëzon shumicën e nevojshme për të kaluar të njëjtën përderisa opozita shqiptare akoma nuk ka vendosur nëse e mbështet ose jo të njëjtën, ndërsa deputetët e pavarur janë deklaruar se nuk e mbështesin.

Interpelanca ndaj Xhaferit vjen pas mbylljes së dyerve në seancën e 25 majit, me arsyetimin se kreu i Kuvendit ka shkelur të drejtën e deputetëve për lëvizje të lirë.

Paraprakisht në komision disiplinor shumica mbivotoi propozimin e opozitës për përgjegjësi morale ndaj Xhaferit, pas publikimit të video-incizimit ku Xhaferi pretendohet se fyen nëpunësit e Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat