Spitali “Zhan Mitrev” në Shkup nën hetim mbi vdekjen e pacientëve prej hemofiltrimit

Maqedonia

Spitali “Zhan Mitrev” në Shkup nën hetim mbi vdekjen e pacientëve prej hemofiltrimit

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 18:31
Pamje nga ambientet e spitalit "Zhan Mitrev"në Shkup, Maqedoni e Veriut. Fotografi ilustruese

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të hënën nisjen e hetimeve në spitalin privat të kardiokirurgjisë në Shkup, “Zhan Mitrev”, lidhur me dyshimet për trajtim joadekuat të pacientëve të sëmurë më COVID-19, me pasojë vdekjen e tyre.

Njoftimi i prokurorisë erdhi pas transmetimit të një emisioni të rrjetit, “Laboratori për Gazetari Hulumtuese-IRL”, i titulluar “Gjaku i papastër”.

Skandali, sipas raportit të këtij rrjeti hulumtues, ka të bëjë me trajtimin e të sëmurëve me COVID-19, të cilët u janë nënshtruar filtrimit të gjakut si terapi kundër kësaj sëmundje.

“Çështja i është caktuar prokurorit publik kompetent i cili do të ndërmarrë veprime për verifikimin e pretendimeve për vepër penale kundër shëndetit të njerëzve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar kontrolle të jashtëzakonshme në këtë spital ndërsa pret përfundimin e hetimeve për masa të mëtejme. Qeveria i ka dhënë dy ditë afat Ministrisë së Shëndetësisë që të përgatisë raportin për të zbardhur sa më shpejt rastin.

“Kam mirëpritur veprimin e Prokurorisë. Ministria e Shëndetësisë do të jetë e gatshme për bashkëpunim. Çdo gjë do të jetë transparente, presim të vijnë raportet nga institucionet relevante, për të parë nëse ka pasur parregullsi gjatë trajtimit të pacientëve”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Sipas hetimit të kryer të “IRL”, trajtimi i tillë i klinikës ka qenë jashtëligjshëm por edhe ka infektuar shumicën e pacientëve me baktere vdekjeprurëse.

Sashka Cvetkovska, një nga gazetaret që kanë hulumtuar rastin tha për mediat se “dyshimet bazohen në 24 tragjedi familjare”.

Sipas saj denoncime në prokurori ka pasur edhe më parë, por nuk janë ndërmarrë masa.“Vetëm sot nga mëngjesi, qytetarët na kanë dërguar foto nga 4 kallëzime penale, njëri prej tyre nga Kosova, tre nga këtu. Rastet që i kemi punuar bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë Cvetkovska.

Studim klinik me metodën e hemofiltrimit në këtë klinikë, sipas hulumtimin është bërë pa lejen nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe pajisje mjekësore.

“Klinika “Zhan Mitrev” është tronditur nga reagimet e opinionit”, thuhet në reagimin me shkrim të spitalit.

“Informacion i fabrikuar për të krijuar një imazh të rremë”, shtohet në njofim.

Spitali thotë se klinika ka punuar për të mirën e qytetarëve prej 22 vitesh duke ofruar shërbime të certifikuara me standarde botërore. Një qasje të tillë kishin edhe gjatë pandemisë me COVID-19, “për çka me përkushtimin e të gjithë të punësuarve bëmë që të shpëtojnë një numër i madh i njerëzve”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat