ASH: Fëmijët tani e 44 ditë pa libra, MASH po shkatërron arsimin

Maqedonia

ASH: Fëmijët tani e 44 ditë pa libra, MASH po shkatërron arsimin

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Në preskonferencën e thirrur nga ana e Aleancës Për Shqiptarët, dje para objektit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës foli zëdhënësi i kësaj partie Arben Zeqiri i cili bashkë me aktivistët e ASH-së u mblodhën për të shprehur revoltën e tyre ndaj mungesës së librave shkollorë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Nga Aleanca për Shqiptarët, MASH-in e quajnë “Ministria për shkatërrimin e arsimit”.

“Jemi këtu para MASH të cilën mund ta quajmë ‘Ministria për shkatërrimin e arsimit’, për të ngritur zërin ndaj një problemi me të cilin ballafaqohen nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, tani e plot 44 ditë. Thuajse në të gjitha vitet shkollore ata ballafaqohen me mungesë të teksteve shkollore, kanë libra të përkthyer gabimisht, gjysmakë dhe të dëmtuar, ndërsa mësuesit dhe arsimtarët duhet të kërkojnë zgjidhje duke fotokopjuar”, tha Zeqiri.

Ai madje ministrin e arsimit, Jeton Shaqirin e fajësoi edhe për mbajtjen e armëve të ftohta dhe lëndëve narkotike nga ana e nxënësve.

“Normalisht që në mungesë të teksteve shkollore, aty do të ketë vend edhe për mjete të pa lejuara në shkollë siç janë thikat, mjetet narkotike etj. Ne si ASH nuk do të ndalemi këtu, do ta vazhdojmë këtë betejë deri sa çantat e nxënësve të mbushen plot me libra.

Ju bëjmë thirrje të gjitha partive tjera politike, ambasadave të huaja, OJQ-ve, që bashkërisht t’a zhvillojmë këtë betejë, ndërsa ministrit i bëjmë thirrje që ose ta kryejë detyrën me përgjegjësi dhe ta arsyetojë rrogën që e merr ose ta lirojë pozitën”, tha ai. Në fund të konferencës, aktivistët e ASH-së hodhën çanta të zbrazura dhe pankarta me mbishkrime të ndryshme në shenjë proteste për mungesën 44 ditore të librave shkollorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat