RMV-ja dhe Kosova shënuan 13 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

Maqedonia

RMV-ja dhe Kosova shënuan 13 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

Më: 16 tetor 2022 Në ora: 14:47
Foto ilustrim

Me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sot në parkun e Çairit u mbollën 13 fidane në shenjë të këtij përvjetori nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Florian Qehaja.

Kjo ngjarje sipas ministrit Osmani pasqyron marrëdhëniet e shkëlqyera midis vendeve.

“Prishtina dhe Shkupi janë kryeqytetet më të afërta në Ballkan, duke simbolizuar kështu marrëdhëniet jashtëzakonisht të ngushta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por edhe lidhjet e ngushta mes qytetarëve tanë”, deklaroi Osmani.

Ambasadori Qehaja gjatë ngjarjes falënderoi RMV-në për mbështetjen që po i jep Kosovës në rrugën e saj integruese në strukturat ndërkombëtare.

“Me Maqedoninë e Veriut kemi arritur nivel të lartë të marrëdhënieve – bashkëpunim të shkëlqyer, i cili në periudhën e ardhshme, jam i bindur se do të forcohet edhe më shumë”, theksoi Qehaja.

Ndryshe, marrëdhëniet joformale midis dy vendeve filluan më 9 tetor 2008 kur Maqedonia e Veriut njohu Kosovën pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia më 17 shkurt të të njëjtit vit. Në tetor 2009, Kosova nënshkroi një marrëveshje për të rirregulluar kufirin e saj me Maqedoninë e Veriut duke shkëmbyer disa toka.

Ndërsa më 17 tetor 2009, Shkupi dhe Prishtina zyrtarisht vendosën marrëdhënie diplomatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat