Sa kanë kursyer rrymë institucionet e Maqedonisë, publikohen të dhënat

Maqedonia

Sa kanë kursyer rrymë institucionet e Maqedonisë, publikohen të dhënat

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 13:12
Foto ilustrim

Qeveria, gjykatat, Kuvendi, presidenti i shtetit, EMV dhe MEPSO në muajin shtator të këtij viti kanë kursyer gjithsej 20 përqind rrymë elektrike, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas analizës që sot e prezantoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, nëse merren parasysh të dhënat konsumatore vetëm nga ndërtesat administrative të ministrive, presidentit të shtetit, Kuvendit, Qeverisë, EMV-së dhe MEPSO-s, kursimi i energjisë elektrike arrin në 25 përqind.

Njëkohësisht, gjashtë subjekte kanë ulur konsumin e energjisë në muajin shtator, por nuk kanë arritur kursime prej 15 për qind sipas detyrimeve, ndërsa subjektet e mbetura kanë realizuar kursime prej 15-73 për qind, shumica prej 25 deri në 35 për qind.

Bekteshi tha se vetëm ndërtesa administrative e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale ka rritur konsumin e energjisë për 81 për qind, kurse kursimi më i madh është bërë në objektin administrativ të SHA EMV prej 75 për qind.

Kursimi i energjisë elektrike në ndërmarrjet shtetërore është tetë për qind dhe mbulohen gjithsej 17 kompani shtetërore. Nga ana tjetër, komunat, të cilat kishin rekomandim për kursim të energjisë elektrike, në shtator e kanë ulur konsumin e energjisë elektrike për gjithsej 29 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Sipas të dhënave, kursimi i energjisë elektrike në ndërtesën e Qeverisë është 25 për qind, në MPB 21 për qind, në Ministrinë e Kulturës 40 për qind, Ministrinë e Arsimit 35 për qind, Ministrinë e Sistemit Politik 22 për qind, Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve 30 për qind, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale 36 për qind, Ministria e Financave 32 për qind dhe Ministria e Ekonomisë 30 për qind.

Siç theksoi Bekteshi, kursimet më të vogla janë bërë në ndërtesën administrative të Ministrisë së Shëndetësisë prej dy për qind, e ndjekur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes me nga tetë për qind kursime.

Sipas analizave, Kuvendi ka kursyer 29 për qind të konsumit të energjisë elektrike, ndërsa Presidencia 17 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat