Kompania që pastron Qeverinë dhe ministritë nën hetim nga Prokuroria e Maqedonisë

Maqedonia

Kompania që pastron Qeverinë dhe ministritë nën hetim nga Prokuroria e Maqedonisë

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Kompania e cila me vite pastron Qeverinë, ministritë dhe objektet e drejtorive shtetërore është nën hetime për keqpërdorime të furnizimeve publike.

Prokuroria dje doli me njoftim se drejtuesi i kësaj kompanie dyshohet për keqpërdorim në furnizim publik, duke mos përmendur emrin e kompanisë, por sipas disa burimeve, bëhet fjalë për kompaninë “Serta” e cila me vite me radhë i fiton tenderët.

Marrëveshja e fundit me Qeverinë, kjo kompani e ka nënshkruar në vitin 2021 për mirëmbajtje të higjienës dhe mirëmbajtjen e objekteve të institucioneve shtetërore për periudhë tre vjeçare.

Sipas Prokurorisë, kompania në vitin 2018 qëllimisht ka shkelur rregullat për procedurë ne ndarjes së marrëveshjes për furnizim publik të mjeteve për higjienë.

Të dyshuarit kanë dorëzuar dokumentacione të rreme dhe kanë realizuar përfitime të majme për firmën.

Me dorëzimin e dokumentacionit të pavërtetë, të dyshuarit janë zgjedhur në procedurë dhe me ta është nënshkruar marrëveshje për furnizim publik me vlerë të përgjithshme prej 209,999,304,00 denarë pa TVSH për periudhë tre vjet. Në bazë të kësaj marrëveshje, i akuzuari dhe kompania e tij kanë marrë pagesë prej 60,691,261,00 denarë me TVSH, respektivisht 25% nga shuma e përgjithshme e paguar ndaj konzorciumit”, thuhet në kumtesë.

Edhe në vitin 2021 kompania e njëjtë është paraqitur në procedurë për furnizim publik të mjeteve për higjienë e zbatuar nga shërbimi për punë të përgjithshme të Qeverisë.

Përsëri në bazë të dokumenteve të rreme, është nënshkruar marrëveshje me personin juridik si bartës i ofertës dhe i janë paguar 21,497,105,50 denarë me TVSH, për kryerjen e obligimeve nga furnizimi publik, respektivisht 40% nga shuma e përgjithshme e marrëveshjes”, thuhet nga Prokuroria.

Prokurori publik kompetent i propozoi Gjykatës Themelore Penale Shkup që ndaj pronarit të caktohet masa – ndalim i daljes nga vendbanimi, konfiskim i përkohshëm i dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve tjera për kalimin e kufirit shtetëror, ndalim për kryerjen e disa aktiviteteve të punës lidhur me krimin, pra ndalimi i disponimit të mjeteve nga llogaritë bankare të personit juridik

Për momentin nuk ka asnjë reagim nga Qeveria, ndërsa drejtor i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në kuadër të Qeverisë është Pece Mirçeski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat