Qeveria e RMV-së do të informojë rregullisht, dëshiron të parandalojë lajmet e rreme për krizën energjetike

Maqedonia

Qeveria e RMV-së do të informojë rregullisht, dëshiron të parandalojë lajmet e rreme për krizën energjetike

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 18:02
Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Qeveria fillon me procesin e informimit të rregullt të opinionit për masat të cilat merren për lehtësimin e krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe për vendimet aktuale që do t’i marrë për tejkalimin e saj, me qëllim të shmangies së lajmeve të rreme dhe dezinformatave të cilat shërbejnë për krijimin e panikut dhe pasigurisë tek qytetarët, paralajmëroi sot këshilltari i kryeministrit për energjetikë, Viktor Andonov.

“Është shumë me rëndësi në kushte të tilla të krizës qytetarët të marrin informacione në kohë dhe të kontrolluara. Për këtë arsye ne ndajmë të gjitha informacionet e rëndësishme për publikun dhe e ngremë transparencën në nivelin më të lartë për të ndërmarrë një hap serioz për të parandaluar përhapjen e lajmeve të rreme dhe spekulime dhe në këtë mënyrë të parandalojmë përhapjen e panikut të panevojshëm në mesin e popullatës”, tha Andonov në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Ai rekomandoi se të gjithë, pa përjashtim, të kursejnë energjinë elektrike për të ruajtur sistemin elektroenergjetik të vendit dhe shtoi se të gjithë kemi përgjegjësi që ta përballojmë krizën më shpejt dhe me efikasitet.

“Prodhimi ditor i energjisë elektrike nga EMV-ja arrin në 11,083 megavat orë, nga të cilat 8,940 megavat orë janë prodhuar në termocentralet dhe 2,143 megavat orë energji elektrike nga hidrocentralet dhe Parku Erë i Bogdancit. Kjo siguron njëqind për qind të nevojave ditore të tregut të rregulluar. Ne e monitorojmë situatën në baza ditore dhe rregullisht do ta ndajmë këtë bilanc energjetik me publikun”, potencon Andonov.

Ai bëri thirrje të gjithë të jenë të kujdesshëm dhe të përdorin në mënyrë racionale energjinë elektrike për të ulur konsumin.

“Me kursim, e ndihmojmë veten dhe njëkohësisht ndihmojmë institucionet që të përballen më lehtë me krizën energjetike. Çdo kilovat orë energji elektrike e kursyer kontribuon në mirëfunksionimin e sistemit energjetik dhe shmangien e skenarit më të keq, që janë kufizimet. Me solidaritet do të sigurojmë siguri për të gjithë”, theksoi Andonov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat