Taravari-Geer: Procesi i skriningut duhet të përdoret nga BE-ja për të shtyrë reformat

Maqedonia

Taravari-Geer: Procesi i skriningut duhet të përdoret nga BE-ja për të shtyrë reformat

Më: 31 tetor 2022 Në ora: 18:16
Foto nga takimi

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët u.d., Arben Taravari ka takuar sot Shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadorin David Geer, për të diskutuar për raportin e progresit, sfidat dhe reformat që e presin vendin në procesin integrues, si dhe zhvillimet politike në vend.

“Ambasadori Geer ka falënderuar Aleancën për Shqiptarët që çdo herë ka qenë përkrahëse e proceseve evropiane”, njoftojnë nga ASH.

Taravari përgëzoi Ambasadorin Geer për rolin e institucioneve të BE-së në gjetjen e një zgjidhjeje për të hequr bllokadën bullgare dhe mundësuar dhënien e dritës së gjelbër për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë hapjen e negociatave, Taravari theksoi se procesi i skriningut duhet të përdoret nga BE-ja për të shtyrë reforma të mirëfillta në shtetin e së drejtës dhe luftimin të korrupsionit në vend.

Taravari, njoftojnë nga ASH, konfirmoi gjithashtu përkushtimin e Aleancës për Shqiptarët për të kontribuar edhe më tutje në mënyrë proaktive në ç’bllokimin e procesit integrues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat