​Simovski: Në Maqedoni të Veriut ka pasur ndikim të madh politik në regjistrimin e popullsisë

Maqedonia

​Simovski: Në Maqedoni të Veriut ka pasur ndikim të madh politik në regjistrimin e popullsisë

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 12:45
Apostol Simovski

Ka vijuar dita e dytë e Javës së Regjistrimit të Popullsisë, fushatë kjo e projektit nacional që do të organizohet vitin e ardhshëm.

Gjatë së mërkurës janë ndarë përvojat e organizimit të këtij procesi nga Maqedonia e Veriut, ku u tha se nuk duhet të lejohet ndikimi politik në regjistrimin e popullsisë. Po ashtu, u theksua se nga ky proces do të nxjerrën shumë të dhëna, që përcaktojnë politikat e së ardhmes.

Drejtori i Entit të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, Apostol Simovski tha se vendet e Ballkanit Perëndimor po humbin popullatën e re, për shkak të migrimeve. Sipas tij, nevojitet një fotografi e qartë që të merren masat e nevojshme.

Simovski: Censusi mund të na tregojë fotografinë e qartë

“Censusi mund të na tregojë fotografinë e qartë dhe kjo është gjëja thelbësore. Na duhet një fotografi e qartë, jo vetëm një fotografi, e cila mund të bëjmë disa intervenime, por na duhet një fotografi e qartë që të krijojmë politika më të mira për zhvillim. Kjo është gjëja thelbësore dhe duhet që ta kuptojmë këtë. Nëse nuk e kuptojmë këtë, atëherë mos e bëni regjistrimin. Ky është rekomandimi im. Pra, ne kemi qenë në atë situatë, nuk kemi pasur të dhëna për 20 vjet dhe na është dashur regjistrimi. Fatkeqësisht në atë periudhë kohore kemi pasur situatë mjaft të keqe politike, por edhe kemi pasur edhe pjesën e COVID-it. E kemi bërë censusin në mes të situatës me COVID dhe me situatë mjaft të keqe politike. Ka pasur ndikim të madh politik”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Simovski shtoi se për këtë proces duhen përgatitje dhe reforma që të fillohet faza e regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, planifikimet për të ardhmen duhet të bazohen në të dhënat që mblidhen nga regjistrimi.

Simovski: Kemi vendosur që të mos e përdorim letrën

“Po ashtu kemi vendosur që të mos përdorim letrën. Jemi në shekullin 21, komponentët e teknologjisë informative janë rritur shumë, ka shumë mundësi të ndryshme që të mos e përdorim letrën. Që do të thotë, punë shumë më e lehtë dhe më e lirë”, ka shtuar ai.

Relevanca, paanshmëria, objektiviteti, e besueshmëria, janë disa nga parimet që ka përmendur zëvendëskryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Ilir Berisha, mbi të cilat duhet të organizohet procesi i regjistrimit të popullsisë.

Berisha: Ky mision i sistemit statistikor është obligim ligjor

"Sistemi statistikor, në bazë të misionit, do tu ofrojë institucioneve qeveritare, komuniteteve dhe institucioneve kërkimore-akademike, komunitetit ndërkombëtar, komunitetit të bizneseve, shoqërisë civile dhe publikut të gjerë, informata cilësore dhe statistikore. Ky mision i sistemit statistikor është obligim ligjor bazuar në ligjin 04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës. Në nenin 3 të Ligjit të Sistemit të Statistikave Zyrtare janë të përcaktuara parimet themelore të statistikave zyrtare”, u shpreh ai.

Ramije Topxhiu Mustafa nga Këshilli Statistikor i Kosovës, ka folur për regjistrimin dhe nevojat për të dhënat e freskëta.

Topxhiu-Mustafa: Ka shumë të dhëna që dalin nga regjistrimi i popullsisë

“Ka shumë të dhëna që dalin nga regjistrimi i popullsisë dhe aq janë të rëndësishme, sa që është sfidë çfarë të zgjedhësh dhe çka të propozohet në këtë konferencë. Unë jam fokusuar në disa aspekte, në disa ndikime të të dhënave të regjistrimit të popullsisë. Unë jam fokusuar vetëm në çështje të cilat kanë ndikim në ekonomi, në shoqëri, mandej në ndikimin e tyre në të drejtat e njeriut, mandej në ndikimin e tyre në fushën e ambientit dhe në ndikimin e tyre në çështjet gjinore”, ka thënë Mustafa.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të organizohet vitin e ardhshëm, nga data 1 shtator deri më 16 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat