Osmani-Rinkeviçs: Në kushtet e sigurisë së trazuar evropiane, nevojiten vendime të mençura, unitet dhe solidaritet

Maqedonia

Osmani-Rinkeviçs: Në kushtet e sigurisë së trazuar evropiane, nevojiten vendime të mençura, unitet dhe solidaritet

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 17:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministri i MPJ-së, Bujar Osmani sot u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkeviçs, njoftojnë nga MPJ.

Në takim, theksojnë nga MPJ, Osmani i përshëndeti angazhimet e vazhdueshme të Letonisë si pjesë e “Grupit të Miqve të Zgjerimit” për ruajtjen e dinamikës së procesit të zgjerimit të BE-së, duke u falënderuar për mbështetjen parimore nga Riga zyrtare për perspektivën tonë evropiane.

Ideja evropiane e Ballkanit do të rrumbullakohet vetëm nëse procesi merr valorizim real përmes integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Osmani, duke e informuar bashkëbiseduesin për aktivitetet që kanë të bëjnë me procesin aktual të skriningut, si një fazë e rëndësishme në procesin e negociatave të anëtarësimit me Unionin.

Rinkeviç, thuhet në njoftimin e MPJ-së, përsëriti se Letonia mbetet mbështetëse e fuqishme e Maqedonisë së Veriut, duke inkurajuar vendin të vazhdojë me reformat dhe përkushtimin për forcimin e kapaciteteve si kyçe për suksesin e negociatave për anëtarësim.

Rinkeviç theksoi se Riga e vlerëson lartë harmonizimin e sanksioneve të BE-së nga Maqedonia e Veriut në përgjigje të invazionit rus ndaj Ukrainës, me shpresën se mbështetja dhe bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat