DW/Pendarovski: Nuk ka drejtësi nëse ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar

Maqedonia

DW/Pendarovski: Nuk ka drejtësi nëse ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 08:24
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mban fjalimin e fundvitit

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se nuk do të ketë drejtësi derisa të jenë të lirë politikanët e korruptuar, por edhe gjyqtarët dhe prokurorët që marrin vendime skandaloze.

Në fjalimin e tij të fund vitit presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kritikoi pushtetin gjyqësor, por edhe politikanët dhe institucionet e tjera për praninë e lartë të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. "Nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktualë në burg për korrupsion, por drejtësi nuk do të ketë derisa të jenë të lirë gjyqtarët dhe prokurorët që marrin vendime skandaloze që ndoshta fshihen pas motiveve korruptive”, tha Pendarovski.

Mosbesim ndaj autoriteteve vendase

Korrupsioni dhe klientelizmi politik në shtet, po e gërryen besimin e qytetarëve tek institucionet, tha Pendarovski, duke shtuar se "Paralajmërimi i ardhjes së ekipit të sanksioneve nga SHBA-ja është konfirmimi më i mirë i mosbesimit që qytetarët tanë kanë ndaj autoriteteve vendase kur shohin të vetmen shpresë për drejtësi në institucionet e huaja dhe ndërkombëtare. Megjithatë, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjosë korrupsionin në Maqedoninë e Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë”.

Image
Maqedoni e Veriut: Muhamеd Zekiri, ish-sekretar i përgjithshëm i qeverisë, i akuzuar për korrupsion

Nevojë për ndryshime kushtetuese

Presidenti para deputetëve ka folur edhe për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgarë në të, si obligim që del nga "propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Sipas Pendarovskit, të gjitha marrëveshjet e rëndësishme janë mbështetur nga opozita andaj edhe i bëri thirrje opozitës të mbështesë ndryshimet në Kushtetutë.

"Askush nuk duhet t'i bëjë presion apo të kushtëzojë askënd që të votojë kundër vullnetit të tij, por deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm për qëllimin tonë strategjik për anëtarësim në BE”, tha Pendarovski.

Moska kërcënim i sigurisë në Evropë

Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Pendarovski ka thënë se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës ndërsa akuzoi Moskën për kërcënim të sigurisë në Evropë si dhe për krizën energjetike dhe të ushqimit.

Image
Shkup: Përkrahës të VMRO-DPMNE në protestë kundër planeve për ndryshime kushtetuese

Snopçe: Presidenti dezertoi nga lufta kundër korrupsionit

Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, u shpresh me kritika të ashpra ndaj fjalimit të presidentit të shtetit, posaçërisht në pjesën e luftës kundër korrupsionit. Sipas Snopçes, presidenti në fjalimin e tij kishte shumë konstatime dhe nuk ofroi asnjë zgjidhje konkrete. "Presidenti duhet të ofrojë hapa konkretë dhe jo vetëm konstatime. Nevojitet llogaridhënie nga të korruptuarit. Te ne presidenti i vendit dezerton nga lufta kundër korrupsionit”, tha Snopçe.

Misajllovski: Me udhëheqës të tillë vështirë të luftohet korrupsioni

Deputeti i opozitës nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski, tha se është evidente se presidenti në fjalimin vjetor u paraqit si analist e jo si president. Ai duhet të jetë president i të gjithëve e jo poltron i mbrojtjes së pushtetit që e dërgon Maqedoninë në humnerë. "Marrë në përgjithësi fjalimi i fundvitit i presidentit ishte i zymtë, i pa shpresë. Ai vetëm konstaton situatat dhe nuk ofron zgjidhjen e tyre. Ai shumë pak foli për dëshpërimin e qytetarëve dhe humbjen e shpresës për një të ardhme të sigurtë. Me një qasje të tillë të funksionarëve më të lartë të shtetit, Maqedonia asnjëherë nuk do ta fitojë luftën ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit”, tha Misajllovski./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat