Bartësit e institucioneve në Maqedoni me duar të lira

Maqedonia

Bartësit e institucioneve në Maqedoni me duar të lira

Më: 3 janar 2023 Në ora: 23:41

Në Maqedoni, komisionet dhe organet e ndryshme për kontrollin e zyrtarëve dhe institucioneve, të parapara me rregulloret kushtetuese dhe ligjore, paraqiten vetëm si organe që herë pas here mblidhen për të krijuar përshtypjen se diçka po bëhet.

Paprekshmëria, mosndëshkueshmëria dhe mungesa e përgjegjësisë në strukturat drejtuese në shoqëri vazhdon prej vitesh, madje dekadash, si një anomali e rëndë sistematike në funksionimin e shtetit. Viteve të fundit kemi hasur në skandale të llojllojshme nga ana e funksionarëve. Por në të shumtën e rasteve nuk kemi përgjegjësi apo dënime për veprime të paligjshme. Për fat të keq deri më tani në vendin tonë nuk është arritur të ndërtojmë organe funksionale të cilët do ta përcjellin me imtësi punën e institucioneve publike dhe bartësve të tyre. Në vendin tonë komisionet dhe organet e ndryshme për kontrollin e zyrtarëve dhe institucioneve, të parapara me rregulloret kushtetuese dhe ligjore, paraqiten vetëm si organe që herë pas here mblidhen për të krijuar përshtypjen se diçka po bëhet. Por në praktikë, asnjë zyrtar nuk del para tyre kur thirret për të shpjeguar ndonjë veprim apo vendim të tij dhe aq më pak për të raportuar publikisht në një organ kontrolli të parashikuar me ligj. Pra këto institucione dhe organe deri më tani nuk kanë pasur ndonjë peshë deri te drejtuesit e institucioneve.

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve politike, Sefer Selimi, për gazetën “Koha” ka deklaruar se organi kryesore që bën kontrollin e punës së pushtetit ekzekutiv është Parlamenti, pra deputetet, të cilët për hir të së vërtetës, nuk e kryejnë plotësisht funksionin e plotë të tyre por shpesh herë shërbejnë si makineri votuese për politikat e qeverisë. “Ndërkohë, deputetët e opozitës shpeshherë e degradojnë debatin dhe si rezultat – defokusohet kritika e shëndoshë për dështimet eventuale te ministrave. Në anën tjetër, funksionarët tjerë kanë organet përkatëse për monitorimin e punës se tyre, siç janë Këshillat drejtues dhe për mbikëqyrje por edhe ato për fat të keq shërbejnë vetëm për rehabilitimin e aktivisteve partiak duke vendosur persona të pakualifikuar për të ndikuar dhe mbikëqyrur punën e personave të zgjedhur ose emëruar, pra janë vetëm proforma dhe pa ndonjë peshë relevante faktike”, ka deklaruar Sefer Selimi.

Nga ana tjetër, institucione që bëjnë kontrollin e institucioneve përfshihen edhe Avokati i Popullit, Antikorrupsioni dhe institucione të tjera të cilët kanë për detyrë të mbajnë nën llupë bartësit e funksioneve, por nuk kryen si duhet punën e tyre apo nuk dëgjohen mjaftueshëm nga bartësit e funksioneve të tjera. Vlen të theksohet se Antikorrupsioni në disa raste ka ndërmarrë iniciativa për disa raste korruptive që kanë të bëjnë me zyrtarët, por Prokuroria Publike nuk komenton për këto iniciativa, kështu që opinionit i krijohet përshtypja se dikush me qëllim po pret që ato të harrohen. Gjithashtu, tani më ish-drejtuesi i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, nuk iu përmbajt plotësisht kërkesave të Komisionit Mbikëqyrës të Shërbimeve të Sigurisë për të shpjeguar saktësisht se si një person në Listën e Zezë amerikane, përfundoi duke marrë nënshtetësinë e RMV-së. Akoma më pak i kushtohet vëmendje inspektorateve që duhet të kontrollojnë punën në arsim, politikën e jashtme apo në shëndetësi. Në vendin tonë kemi raste edhe kur ambasadorët janë dërguar në vendet e huaja pa sqaruar programin dhe planin e punës para komisioneve kompetente, e aq më pak për të raportuar pas përfundimit të mandatit. Tani më edhe pse jemi në fund të gjysmë-vjetorit shkollor, nxënësit nuk i kanë ende të kompletuara tekstet shkollore. Në çdo vend demokratik, janë mekanizmat e kontrollit që qëndrojnë mbi kokat e politikanëve, qofshin gjyqtarë, prokurorë, ministra apo çfarëdo funksioni që bartin – duke mos i lejuar ata të kryejnë asnjë shkelje të detyrës apo akt korruptiv dhe aq më pak të mbeten pa llogaridhënie ose të pandëshkuar nëse konstatohet se ata kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Edhe pse roli i Këshillit Gjyqësor është të jetë ai mekanizëm kontrollues mbi gjyqësorin që do të sigurojë dhe garantojë autonominë dhe pavarësinë e autoritetit gjyqësor, si organ kontrolli jo vetëm që nuk e bën këtë, por vendoset në funksion të çdo autoriteti dhe jep atë që do t’i kërkohet nga elitat politike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat