Mungojnë 218 gjykatës në Maqedoni, duhet të jenë 633, kemi vetëm 415

Maqedonia

Mungojnë 218 gjykatës në Maqedoni, duhet të jenë 633, kemi vetëm 415

Më: 8 janar 2023 Në ora: 20:07
Ilustrim

Maqedonisë së Veriut i mungojnë 218 gjykatës! Në të gjitha gjykatat e vendit duhet të jenë 633 gjykatës, por aktualisht janë vetëm 415. Ky numër ndryshon çdo ditë për shkak të daljeve në pension, tregon zëvendëskryetari i Këshillit Gjyqësor Selim Ademi. Mungesa e gjykatësve sipas tij sjell vonesën e vendimeve, e me këtë edhe humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Paramendoni në Gjykatën Themelore të Tetovës, në këtë fazë të fundit 8 gjykatës kanë shkuar në pension. Gjykatat më të mëdha, që janë Gjykata Penale dhe Civile, “Shkupi 1” dhe “Shkupi 2” siç quhen, kanë mungesë të gjykatësve. Të mos flasim për Gjykatën e Apelit që lëndët janë më të komplikuara e që ka mungesë të gjykatësve. Kuptohet, nga mungesa e gjykatësve kemi edhe vonesë të vendimeve. Qytetari nuk e kupton, kur ta pyesësh dhe thotë se për një lëndë ka pritur 1 a 2 vite, nënkuptohet se nuk ka besueshmëri”, tha Selim Ademi, zëvendëskryetar i Këshillit Gjyqësor.

As Ademi nuk është i kënaqur me besimin e qytetarëve në gjyqësor, gjë që e tregoi anketa e fundit e IRI-t, por thekson se 4%-shi tregon “besueshmërinë e plotë”, ndërsa grafiku për “besimi në gjyqësor” është 19%.

“Edhe me 19% nuk duhet të themi se ne duhet të jemi të kënaqur, pasi që deri sa është nën 50% nuk duhet të themi se kemi besueshmëri të plotë, por për realitet, për të gjithë opinionin, duhet tregohet se anketa e fundit e IRI-t, që të gjithë i besojmë, sigurisht, është 4% ‘i besojmë plotësisht gjyqësorit’ dhe 19% ‘i besojnë gjyqësorit’”, shtoi Ademi.

Anketat tregojnë se ka gjykatës të korruptuar, thotë Ademi, por shton se Këshilli Gjyqësor nuk ka kompetencë t’i hetojë rastet, por vetëm t’i paraqesë në Prokurori, e cila, sipas tij, nuk vepron.

“Ka raste kur ne kemi dorëzuar dhe ajo është në kompetencën e tyre por nuk kemi ndonjë informatë që është zhvilluar ndonjë procedurë ose ngritur ndonjë procedurë. Ka ndonjë arsyetim, prova të pamjaftueshme, por provat nuk mund t’i sigurojë Këshilli Gjyqësor. Ne shkresat që na vijnë si informacion, kur shohim se mund të ketë elemente korruptive, e dorëzojmë, por sigurimin e provave duhet ta bëjnë organet e tjera”, sqaroi Ademi.

Zgjidhjen për luftë ndaj korrupsionit Ademi e sheh tek bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet, ndërsa nga ana tjetër mban shpresë që plotësimi i vendeve vakante të gjykatësve do të bëhet me ardhjen e gjeneratës së re që po përgatitet në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat