Osmani në Vjenë për takime me organet drejtuese dhe ekzekutive të OSBE-së: Misionet në terren janë kurora e Organizatës

Maqedonia

Osmani në Vjenë për takime me organet drejtuese dhe ekzekutive të OSBE-së: Misionet në terren janë kurora e Organizatës

Më: 13 janar 2023 Në ora: 20:51
Pamje nga takimi

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, në ditën e fundit të vizitës së tij në Vjenë pati takime me strukturat menaxhuese të institucioneve të pavarura, organet ekzekutive të Organizatës, krerët e misioneve në terren, si dhe një sërë takimesh me Përfaqësuesit Specialë të kryesisë së OSBE-së, njoftojnë nga MPJ.

Ministri Osmani, theksojnë nga MPJ, pati takim pune me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid, Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, Drejtorin e ODIHR-it, Matteo Macacchi, Përfaqësuesen Speciale të OSBE-së për Lirinë e Mediave, Teresa Ribeiro dhe Komisioneri për pakicat kombëtare, Kairad Abdrakhmanov.

“Si kryetar i OSBE-së e marr përsipër përgjegjësinë, por ju e dini shumë mirë se sa mbështetemi në punën, përvojën dhe këshillat tuaja të rëndësishme. Së bashku, në frymën e bashkimit, jemi thirrur ta udhëheqim Organizatën tonë në këto kohë komplekse dhe sfiduese”, tha Osmani në takim.

Kryesuesi i OSBE-së për vitin 2023, Osmani ka zhvilluar edhe takime pune me shefat e misioneve në terren në Azinë Qendrore dhe Evropën Juglindore, ku janë diskutuar disa nga çështjet më urgjente dhe thelbësore për punën e OSBE-së, me fokus të veçantë në perspektivat e misioneve në terren, të cilat janë me rëndësi prioritare për kryesimin e OSBE-së nga Maqedonia e Veriut.

“Besoj se dje kam qenë shumë i qartë në fjalimin tim në Këshillin e Përhershëm, për rëndësinë kyçe që presidenca e Maqedonisë së Veriut i kushton punës në terren të OSBE-së. Misionet në terren me të drejtë janë përcaktuar si “Kurora e Organizatës”. Ato janë një konfirmim i asaj që është OSBE-ja, përmes së cilave bashkërisht do të dëshmojmë se mund të vazhdojmë të kontribuojmë në jetën e njerëzve, me punën tonë. Çështja sot është se si të vazhdohet me aktivitetet në këto kohë sfidash ekstreme që po kalojmë”, theksoi Osmani në takimin me shefat e misioneve në terren të OSBE-së.

Në takimin, thuhet në deklaratën e MPJ-së, me shefat e misioneve në terren në Azinë Qendrore, Osmani vuri në dukje sfidat e shumta për këtë rajon duke thënë se nuk duhet të harrohen as pasojat e situatës në Afganistan.

“Edhe pse bashkëpunimi rajonal po përmirësohet, incidentet e armatosura midis Taxhikistanit dhe Kirgistanit janë sinjale alarmante për brishtësinë e situatës së përgjithshme. Kjo është, me pak fjalë, përgjigja se pse angazhimi ynë është domethënës. Do të punojmë shumë për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe ndër-rajonal dhe për të mbështetur zbatimin e projekteve të OSBE-së”, tha ai.

Në takim me shefat e misioneve nga Evropa Juglindore, Osmani foli për mundësinë e zhvillimit të këtij rajoni, i cili po bën përpjekje të intensifikuara për integrime evropiane, duke theksuar se mbështetja për agjendën tonë reformuese është rezultat i dukshëm i OSBE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat