Interes i kënaqshëm për të dhuruar gjak në Maqedoni

Maqedonia

Interes i kënaqshëm për të dhuruar gjak në Maqedoni

Më: 17 janar 2023 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Organizata e Kryqit të Kuq komunal filloi me aksionin e parë për dhurimin e gjakut për këtë vit. Edhe sivjet kjo organizatë ka planifikuar të realizoj 7 aksione të rregullta dhe dy aksione të jashtëzakonshme ose të çrregullta. Plani vjetor edhe për vitin 2023 është 744 njësi gjaku, thanë përfaqësuesit e organizatës humanitare të Kryqit të Kuq komunal.

Sekretari i Kryqit të Kuq komunal Isni Telqiu thotë se në aksionin e parë të realizuar sivjet u grumbulluan 27 njësi gjaku. “Në objektet e organizatës së Kryqit të Kuq në Dibër në bashkëpunim me institutin për transfuziologji nga Shkupi realizuam aksionin e parë të këtij viti për të dhuruar lëngun më të shtrenjtë – gjakun. Interesimi ishte në nivel nga gjakdhuruesit dibran dhe u paraqitën një numër i konsiderueshëm, por një pjesë e tyre nuk mundën të dhuronin gjak nga që kanë patur probleme shëndetësore, kështu që vetëm 27 prej tyre dhuruan gjak”, thotë sekretari i Kryqit të Kuq komunal, Isni Telqiu.

Ai thotë se edhe sivjet kjo organizatë ka planifikuar të mbajt shtatë aksione të rregullta për dhurimin e gjakut dhe dy aksione të jashtëzakonshme. Aksionet do të mbahen në objektet e Spitalit, në gjimnazin e Dibrës, në objektin e Kryqit të Kuq komunal si dhe në disa institucione të tjera. Duke komentuar planin vjetor për grumbullim të lëngut më të shtrenjtë që shpëton jetën e njeriut, Telqiu thotë se edhe sivjet plani është i njëjtë me vitet paraprake, gjegjësisht 744 njësi gjaku.

Vitin që lamë pas organizata komunale e Kryqit të Kuq realizoi shtatë aksione për dhurimin e gjakut. Në aksionet e mbajtura në vitin 2022 janë paraqitur vullnetarë për të dhuruar gjak, por plani vjetor nuk u realizua. “Në shtatë aksionet e realizuara vitin e kaluar janë grumbulluar gjithsej 482 njësi gjaku. Kjo do të thotë se plani vjetor është realizuar më shumë se 60 për qind. Por duhet theksuar se në uljen e numrit të njësive të grumbulluara të gjakut ka ndikuar pandemia që la pasoja shëndetësore te një pjesë e gjakdhuruesve por edhe migrimi i vazhdueshëm i dibranëve”, thotë ai. Duhet theksuar se Dibra ndër vite ka qenë ndër komunat ku ka shënuar rekorde për dhurimin e gjakut dhe duke tejkaluar edhe planin vjetor për disa për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat