ISHP-Maqedoni: Rriten ndjeshëm rastet me gripin sezonal

Maqedonia

ISHP-Maqedoni: Rriten ndjeshëm rastet me gripin sezonal

Më: 19 janar 2023 Në ora: 13:51
Foto ilustrim

Gjatë javës së dytë, nga 9 deri më 15 janar, në Maqedoninë e Veriut janë paraqitur 1.346 raste të të prekurve apo me simptome të gripit. Të dhënat e ISHP-së tregojnë se për 63.9% janë rritur rastet në krahasim me javën paraprake.

Sipas moshës 888 i takojnë grupmoshës 15-64 vjeç, 186 grupmoshës 5-14 vjeç, 139 tek fëmijët e moshës 0 deri 4 vjeç dhe 133 i takojnë grupmoshës mbi 65 vjeç.

Gjatë këtij sezoni të gripit, janë shënuar edhe tre viktima. Bëhet fjalë për dy pacientë nga Shkupi dhe një nga Shtipi. Autoritetet shëndetësore thonë se bëhet fjalë për pacientë me sëmundje shoqëruese, të hospitalizuar dhe të pavaksinuar me vaksinën kundër gripit sezonal.

Ndryshe, gjatë javës së parë të vitit 2023, sipas ISHP-së, në Maqedoninë e Veriut, numri i të prekurve nga gripi krahasuar me javën e parë të sezonit të kaluar është rritur për 74.7%.

Përveç motit të ngrohtë, jo të zakonshëm për këtë periudhë të vitit, si dhe dallimet e mëdha të temperaturave, mjekët thonë se shkaku për numrin e madh të të prekurve shihet edhe në mosrespektimin e masave të mbrojtjes. Rekomandohet mbajtja e maskave nëpër spitale, transportin publik, barnatore, kurse të sëmurët të izolohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat