Këshilli i “Komunales” së Kërçovës punon pa mandat: Këshilltarët e opozitës bllokojnë punën e ndërmarrjes

Maqedonia

Këshilli i “Komunales” së Kërçovës punon pa mandat: Këshilltarët e opozitës bllokojnë punën e ndërmarrjes

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 18:29
Foto ilustrim

Këshilli drejtues i Ndërmarrjes “Komunalec” në Kërçovë prej një viti vazhdon të funksionojë me mandat të skaduar. Këtë si shqetësim e ngritën këshilltarët e opozitës në këshillin e komunës.

Për këtë arsye, këshilltarët opozitarë e kanë bllokuar punën e Ndërmarrjes duke hequr pikat nga rendi i ditës, sepse siç thonë, këshilli drejtues nuk ka legjitimitet për të propozuar vendime dhe se vendimet që janë marrë brenda vitit nga ana e këshillit të ndërmarrjes janë jo-legjitime.

“Ne si këshilltarë, bashkë me këshilltarët tjerë të opozitës qëndruam në qëndrimin tonë dhe insistuam që këto pika të largohen sepse dikush duhet të mbajë përgjegjësi për gjithë këtë kohë të punës së ndërmarrjes publike dhe këshillit drejtues me mandate të skaduara, për gjithë këtë kohë që këshilli drejtues ka marrë pagë paushalle, ndërkohë nuk ka pasur mandate edhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi”- deklaroi Llaze Jakimovski, këshilltar i OBRM-PDUKM-së.

“Këshilli drejtues ka mbajtur mbledhje, ka sjellë vendim për miratim të programeve që i ceka më lart, mendojmë ne se ky këshill nuk ka legjitimitet prandaj edhe ne si këshilltarë nuk kemi të drejtë të miratojmë diçka që ato e propozojnë sepse nuk kanë legjitimitet dhe janë drejtues inegzistentë”- tha Agim Sadiku, Këshilltar i Lëvizjes Besa.

Këshilltarët thonë se komuna dhe administrate komunale duhet të mbajnë përgjegjësi se përse nuk kanë propozuar këshill të ri drejtues 3 muaj para skadimit të afatit. ashtu siç e parasheh ligji.

Nga Komuna e Kërçovës nuk deshën të komentojnë në lidhje me këtë çështje duke thënë se nuk është në kompetenca të tyre zgjedhja e këshillit drejtues.

“Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit është sjellë tre muaj para, por ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2022, ndërsa rregullorja për zgjedhjen e këshilleve të reja në Gazetën Zyrtare është shpallur në fund të vitit edhe atë më 27 dhjetor nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, kjo ka qenë pengesa se përse nuk kemi pasur mundësi të zgjedhim këshill të ri drejtues”- thonë nga NP “Komunalec”.

Megjithatë këshilltari dhe Laze Jakimovski mohon deklaratën e ndërmarrjes duke thënë se kur janë bërë ndryshime e ligjit dhe shpallja e rregullores në Gazetën Zyrtare në vitin 2022, këshillit drejtues i ndërmarrjes ka qenë më afat të skaduar që në vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat