Lojërat e fatit, Kasami paralajmëron referendum

Maqedonia

Lojërat e fatit, Kasami paralajmëron referendum

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 18:36
Foto ilustrim

Edhe pse Qeveria i dha dritë jeshile ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Lojërave të Fatit, ku parashikohet largimi i kazinove e bastoreve 500 metra nga objektet shkollore, kreu i komunës së Tetovës kërkon që të largohen tërësisht nga qyteti.

Bilall Kasami paralajmëron edhe një lloj referendumi, i cili do të realizohet përmes këshillit komunal, ku do të kërkohet që lojërat e fatit, të largohen krejtësisht.

“Për ne nuk është e mjaftueshme kjo, do jenë 200 apo 300 metra, derisa janë brenda qytetit ja si kjo përballë në zemër të qytetit dhe pjesët më të frekuentuara janë të uzurpuara nga kazinotë dhe objektet tjera të lojërave të pafatit. Ne në mbledhjen e radhës të këshillit konform asaj që nisëm si iniciativë, do të sigurohet një informatë që na është siguruar nga administrata e komunës për procedurat e mëtejme se si në komunë të Tetovës të jenë të ndaluara kazinotë dhe objektet tjera të lojërave të pafatit/ dhe në këtë drejtim besoj se këshilli do gjej mënyrë që në kuadër të pjesës urbane pra vendbanimeve të komunës së Tetovës të mos ketë objekte të tilla”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Për dallim nga Kasami, Lëvizja Anti bixhoz ka mirëpritur nismën për zhvendosjen e lojërave të fatit, por këmbëngul që largësia të mos jetë më pak se tre kilometra nga vendbanimet.

“Kërkesa e Lëvizjes Anti bixhoz është e dalë nga Populli dhe është e pandryshuar. Dislokimi tre kilometra larg vendbanimeve, ndërsa pas vrasjes së dy të rinjve në Vizbeg kërkojmë mbyllje totale si në Shqipëri dhe Kosovë, deri në sjelljen e një Ligji që mbron qytetarin nga gjendja e rëndë ekonomike. Pyesim ku mbetën çerdhet, institucionet publike, si do mbrohen sheshet e qyteteve. Vallë pranë objekteve fetare dhe institucioneve tjera edukative arsimore, do lejohen objektet e kumarit? Andaj kërkojmë që në këtë Ligj të përfshihen edhe këto institucione”, u shpreh Jushi Emërllahu, Lëvizja Antibixhoz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat