Varhelyi: Sofja dhe Shkupi t’i ulin tensionet, përgjegjësit për incidentet të përballen me drejtësinë

Maqedonia

Varhelyi: Sofja dhe Shkupi t’i ulin tensionet, përgjegjësit për incidentet të përballen me drejtësinë

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 22:19
Oliver Varhelyi

Komisari evropian për Zgjerim dhe Marrëdhënie të Mira Fqinjësore, Oliver Varhelyi, sot para Parlamentit Evropian deklaroi se pret që të ulen tensionet mes Sofjes dhe Shkupit të cilat kulmuan më 4 shkurt, ndërsa të gjithë ata që janë përgjegjës për incidentet që ndodhën të përballen me drejtësinë.

“Ngjarjet e 4 shkurtit nuk janë inkurajuese. Shpresoja për më shumë – siç u vendos nga udhëheqësit e të dy vendeve, do të ketë shënim të përbashkët të datës. Shpresoj se do të ketë sukses vitin e ardhshëm dhe nuk do të ketë ngjarje të ngjashme në kufi. Më duhet të pranoj se nuk është e lehtë për autoritetet në Shkup të qëndrojnë të qetë nëse ka provokime në kufi. Së bashku, BE-ja duhet të dërgojë porosi se historia ndahet dhe duhet të festohet si e tillë. Ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që ta ulim tensionin. Shpresojmë që të gjitha marrëveshjet dypalëshe do të zbatohen”, tha Varheji duke u përgjigjur në pyetjet e eurodeputetëve bullgarë.

Andrej Kovaçev kërkoi nga Varhelyi të konfirmojë se KE-ja e ndjek jo vetëm ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, por edhe zbatimin e marrëveshjes dypalëshe mes Sofjes dhe Shkupit nga viti 2017 dhe dy protokollet, para se të fillojnë bisedimet thelbësore me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim.

Në rastin me Republikën e Maqedonisë së Veriut vendosëm rregulla shumë të qarta në kornizën e bisedimeve, që mundësoi mbledhjen e konferencës së parë ndërqeveritare, sqaroi eurokomisari.

“Kërkesat janë të qarta, nevojiten marrëdhënie të mira fqinjësore. KE-ja do ta monitorojë këtë çështje dhe ne presim përparim këtë vit. Unë i vëzhgoj ngjarjet, kam folur me qytetarë maqedonas të cilët e identifikojnë veten si bullgarë. Autoritetet në Shkup jo vetëm që janë të vetëdijshëm, por edhe veprojnë për të çrrënjosur çdo urrejtje ndaj bullgarëve. Dhunuesit janë arrestuar, hetimet vazhdojnë, shpresoj që të ketë lëndë në gjykatë. Mendoj se kjo duhet të jetë treguese e vendosmërisë së autoriteteve në Shkup”, shtoi Varhelyi në lidhje me rastin e Hristijan Pendikovit.

Varhelyi theksoi se KE-ja e ndjek respektimin e marrëveshjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe Marrëveshjen e Prespës. Ai njoftoi se raporti për progresin e Maqedonisë së Veriut pritet të publikohet në vjeshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat