Kovaçevski – Lajçak: Nevojitet përshpejtimi i vendit në BE

Maqedonia

Kovaçevski – Lajçak: Nevojitet përshpejtimi i vendit në BE

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 14:48
Kovaçevski – Lajçak

Maqedonia e Veriut ka qëndrim të qartë sa i përket politikës së saj të jashtme dhe nuk ka alternativë të bashkëpunimit ndërkombëtar sa i përket çështjeve të sigurisë, ka porositur sot nga Mynihu, Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili, së bashku me një delegacion qeveritar, po merr pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih.

“Ajo shihet edhe nga prioritetet tona ku prioritet kyç është Ukraina, megjithatë edhe të gjitha fushat tjera ku ka nevojë për avancimin e paqes dhe sigurisë. Ne kemi qëndrim shumë të qartë lidhur me politikën tonë të jashtme dhe se nuk ka alternativë për bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me cështjet kyce të sigurisë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Në kuadër të konferencës së Mynihut, Kovaçevski ka realizuar takim me përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ku është folur për domosdoshmërinë e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, me prioritet të Maqedonisë.

Në vigjilje të takimit, Kryeministri Kovaçevski, siç njofton KlanM, është takuar edhe me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë qëllime të njëjta – eurointegrimin e shpejtë të vendeve, prosperitet më të madh ekonomik, ruajtjen e paqës dhe stabilitetit si aleat në NATO”, ka shkruar në Facebook, Kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski po ashtu, është takuar edhe me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Presidentin malazez, Milo Gjukanoviq dhe zyrtarë tjerë evropian dhe të rajonit pjesëmarrës në Konferencën e Mynihut.

Konferenca e Sigurisë e Mynihut, siç njofton KlanM, është një mbledhje e përvitshme, që mbledh në një vend krerët e shteteve, zyrtarë, diplomatë dhe ekspertë. Këtë vit, po marrin pjesë rreth 40 krerë shtetesh, si dhe politikanë dhe ekspertë të sigurisë nga pothuajse 100 vende, si liderët e Francës dhe Gjermanisë, por edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në krye të agjendës së konferencës, është mbështetja perëndimore për Ukrainën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat