Mbyllen sallat e operacioneve në spitalin e Prilepit

Maqedonia

Mbyllen sallat e operacioneve në spitalin e Prilepit

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 18:23
Prilep

Për gjashtë ditë janë mbyllur sallat e operacionit në repartet e Gjinekologjisë, Kirurgjisë dhe Ortopedisë në Spitalin e Prilepit. Prej atje janë marrë mostrat dhe është ekzaminuar gjendja bakteriologjike. Këtë e konfirmojnë nga Spitali i qytetit të Prilepit “Borka Taleski” dhe Qendra për shëndet publik nga Prilepi. Rezultatet e mostrave priten të dalin këto ditë.

Keti Smileska, drejtoreshë e Spitalit të Prilepit, sqaron se gjithçka po ndodh pasi në Klinikën e Shkupit ka ndërruar jetë një paciente nga Prilepi, e cila ka pasur komplikime një ditë pasi i është bërë një kiretazh në spital.

“Një grua 52-vjeçare nga Prilepi të hënën i është bërë një kiretazh në spital dhe është dërguar për trajtim në shtëpi. Të martën, pacientja është kthyer në spital me komplikime me temperaturë të rritur. Të nesërmen ajo është dërguar në Klinikën Gjinekologjike dhe Infektive në Shkup, ku ka ndërruar jetë. Që nga e enjtja sallat e operacionit janë mbyllur dhe janë marrë mostra për ekzaminim. Deri më sot sallat janë të mbyllura dhe priten rezultatet përfundimtare”, sqaroi Smileska.

Dragica Nikolloska, drejtoreshë e Qendrës për Shëndet Publik, konfirmoi se sallat e operacionit në Repartin Gjinekologjik, Kirurgjik dhe Ortopedik janë të mbyllura dhe se priten rezultatet e mostrave të mara.

Derisa të arrijnë rezultatet e mostrave nga sallat e operacioneve të Spitalit të Prilepit, ato do të qëndrojnë të mbyllura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat