Lëvizja Besa: Kovaçevski harxhoi 26 mijë euro për 100 ditë për të promovuar faqen e tij në Facebook

Maqedonia

Lëvizja Besa: Kovaçevski harxhoi 26 mijë euro për 100 ditë për të promovuar faqen e tij në Facebook

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 18:02
Lëvizja Besa

Lëvizja Besa e ka akuzuar kryeministrin e vendit Dimitar Kovaçevski për harxhim të parave të qytetarëve, për të promovuar faqen e tij në Facebook. Duke iu referuar një hulumtimi të IRL, nga Lëvizja Besa thonë se Dimitar Kovaçevski ka harxhuar 26.000 euro para të qytetarëve për sponsorizimin e faqes së tij në Facebook në vetëm 100 ditë.

Nga Lëvizja Besa thonë se sipas hulumtimit të IRL, Kovaçevski nuk ka pasur llogari publike në rrjetin social Facebook deri në janar të vitit 2022 dhe kërkojnë që ai të tregojë ku i ka marrë këto para.

“Si duket, për të rritur numrin e ndjekësve dhe për ta ndjerë veten kryeministër ai paguan facebookun me paratë e qytetarëve. Në një kohë kur vendi po përjeton krizën më të thellë ekonomike, ku çmimet e produkteve bazë po kapin shifrat stratosferike, kryeministri kujdeset për rrjetin social. Kujtojmë që çmimet e produkteve bazë nuk janë ulur, dhe energjia elektrike vazhdon të jetë me çmim tejet të lartë. Këto veprime edhe njëherë tregojnë se kryeministri dhe qeveria nuk e kanë aspak mendjen tek qytetarët dhe integrimi, por merren me propagandë dhe promovim të vetvetës”.

“Lëvizja BESA i bën thirrje kryeministrit që për hirë të transparencës ndaj qytetarëve të jap llogari se nga i ka siguruar mjetet për sponsorisim të faqes së tij. Sipas përllogaritjes, numri i ndjekësve momental të kryeministrit është 41.000. Nga 26.000 euro, i bie që kryeministri ka paguar 60 cent një like (pëlqim) për faqen e tij për vetëm 100 ditë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat