Radevi i përgjigjet Pendarovskit: Politikanët maqedonas të tregojnë të vërtetën për hebrenjtë

Maqedonia

Radevi i përgjigjet Pendarovskit: Politikanët maqedonas të tregojnë të vërtetën për hebrenjtë

Më: 15 mars 2023 Në ora: 20:41
Rumen Radev dhe Stevo Pendarovski

Pas kërkesës së presidentit Stevo Pendarovski deri te Bullgaria për të kërkuar falje për dëbimin e hebrenjve të Maqedonisë në kampin e përqendrimit Treblinka, presidenti bullgar Rumen Radev tha se kjo nuk bazohet në të vërtetën historike. Radev madje kërkoi që marrëdhëniet dypalëshe me Bullgarinë të mos ndërtohen me, siç tha, ideologjitë e totalitarizmit.

“Interesi i presidentit të Maqedonisë së Veriut për historinë është për lëvdata, megjithatë ai duhet të mbështetet në të vërtetën historike. Edhe politikanët e vendit fqinj kanë për obligim që qytetarëve të tyre t’ua tregojnë të vërtetën për historinë e tyre që tashmë dhjetëra vjet maskohet me manipulime dhe gënjeshtra. Të vërtetën për çështjen e hebrenjve. Të vërtetën për dëbimin dhe represionin ndaj bullgarëve të Maqedonisë”, deklaroi Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Presidenti Pendarovski gjatë shënimit të 80 vjetorit nga dëbimi i hebrenjve të Maqedonisë në Luftën e Dytë Botërore, i apeloi Sofjes dhe tha se gjeneratat e sotme nuk kanë të drejtë që ta qetësojnë ndërgjegjen e papastër të dikujt për holokaustin e hebrenjve të Maqedonisë.

“A guxojmë që të heshtim para revizionizmit historik që i rehabiliton kriminelët duke i lavdëruar fajtorët? A duhet të harrojmë me nënshkrimet e kujt, hebrenjve të Maqedonisë në mënyrë sistematike u janë mohuar të drejtat e tyre qytetare, ekonomike dhe njerëzore dhe janë dërguar në vdekje? Që të ketë pajtim, duhet të ketë kërkim falje për rolin profashiste të qeverisë në Sofje në kohën e deportimit të hebrenjve të Maqedonisë”, tha Stevo Pendarovski.

Të dielën, me marsh nga Stacioni i vjetër hekurudhor deri te Monopoli, pikërisht nëpër rrugën ku kanë kaluar viktimat, u shënua 80 vjetori nga deportimi i hebrenjve të Maqedonisë në kampin e përqendrimit Treblinka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat