Heshtje në BDI për përjashtimin eventual të “Grupit të zjarrit”

Maqedonia

Heshtje në BDI për përjashtimin eventual të “Grupit të zjarrit”

Më: 3 prill 2023 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

A është përjashtimi zyrtar i grupit të zjarrit nga partia një nga opsionet të cilat BDI-ja i shqyrton pas shpalljes së tyre anarkistë? Këtë përgjigje e kërkuam por nuk e morëm nga partia e Ali Ahmetit. Dy ditë pas mbledhjes në parti ku u ndanë rrugët e tyre, nga BDI-ja kanë mbetur në qëndrimin e tyre të fundit se statuti i partisë nuk lejon fraksione por çfarë kur këto fraksione po krijohen, nuk e thotë askush.

“Çdo veprim ndryshe nga statuti është anarki dhe anarkia është armiku më i madh i demokracisë. Parimi është, pakica i bindet vendimit të shumicës…”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

E nuk morëm përgjigje as nga grupi i zjarrit, i kryesuar nga nënkryetari Izet Mexhiti kur dhe si do të fillojnë me krijimin e strukturave paralele brenda BDI-së, ashtu siç paralajmëruan, dhe a do t’i japin akoma kohë Ahmetit, siç thonë ata vetë, të demonstrojë kapacitet demokratik. Mexhiti një ditë më parë pranoi për Alsat se veprimi i tyre si fraksion nuk parashihet në statut por, sipas tij, nuk është hera e parë që në këtë parti veprohet jashtë statutit.

“Do të jetë aktiv në të ardhmen, do të ketë strukturat e tij dhe do të paraqesim jo vetëm dallimet strukturore, programore por dhe idetë e qëndrimet tona politike për çdo temë”, u shpreh Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Mexhiti dhe grupi i tij mohojnë qëllimet për formimin e një partie të re duke thënë se largimet, shkarkimet dhe opsionet e tjera nuk duhet të mendohen, në rast se Ahmeti demonstron kapacitet demokratik si gjatë këtyre 20 vjetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat