Përurohet tabela për “Korridorin 8”, zyrtarët shtetëror nuk pranojnë pyetje nga gazetarët

Maqedonia

Përurohet tabela për “Korridorin 8”, zyrtarët shtetëror nuk pranojnë pyetje nga gazetarët

Më: 4 prill 2023 Në ora: 17:18
“Korridori 8”

Në pikë-pagesën rrugore Tetovë – Gostivar, Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot organizoi hapjen ceremoniale të tabelës për projektin e ndërtimit të katër autostradave në vlerë prej 1.3 miliardë euro.

Në manifestim të pranishëm ishin kryeministri Dimitar Kovaçevski, zv.kryeministri Artan Grubi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Bochvarski, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, ambasadorja amerikane Angela Aggeler dhe shumë të tjerë.

Në fjalimet e tyre të gjithë vlerësuan dhe falënderuan njëri-tjetrin, duke theksuar se sa i rëndësishëm është ky projekt për vendin.

Në këtë ceremoni ndonëse nuk filluan punimet, as nuk u hodh lopata e parë, u hap një tabelë që kishte një foto të një autostrade dhe numrin 8 që qëndron për Korridorin 8.

Pas kësaj ceremonie, zyrtarët shtetërorë menjëherë u larguan duke mos lejuar gazetarët t’u afrohen dhe t’u bëjnë pyetje.

Ndryshe, ky projekt ka shkaktuar shumë dyshime në opinion dhe po shqyrtohet nga Prokuroria, pasi shteti zgjodhi konsorciumin “IRD Engineering” për 22.3 milionë euro për të mbikëqyrur ndërtimin.

Dyshimet për korrupsion të mundshëm lindën pasi u bë e ditur se kompania “Electra Solutions”, e cila është pjesë e konsorciumit, nuk ka kryer deri tani asnjë mbikëqyrje, por aktiviteti kryesor i saj ka qenë prodhimi i të brendshmeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat