RMV: Mësimi tërëditor, deri në klasën e tretë prindërit të revoltuar me vendimin

Maqedonia

RMV: Mësimi tërëditor, deri në klasën e tretë prindërit të revoltuar me vendimin

Më: 9 prill 2023 Në ora: 17:38
Foto ilustrim

Prindërit e fëmijëve që ndjekin mësimin tërë-ditor shprehen të revoltuar që ky model ndërpritet në klasë të tretë dhe nuk vazhdon deri në klasën e pestë, siç ishte vite me radhë. Ata thonë se mosha e fëmijëve në klasë të tretë është shumë e vogël që të mund të shkojnë në shkollë dhe më pas të qëndrojnë vetëm në shtëpi. Thonë se ky vendim do të detyrojë njërin prej prindërve të heq dorë nga marrëdhënia e punës.

“Ne jemi të detyruar ose fëmijët t’i dërgojmë në shkollë në mësim tërëditor ose njëri prej nesh, unë ose bashkëshortja ta lëmë vendin e punës dhe të kujdesemi për fëmijët. Ata janë shumë në moshë të vogël dhe nuk mund as të kujdesen për vete, thjesht edhe me ligj ne nuk kemi të drejtë ti lëmë fëmijët vet. Nuk jemi edhe aq që mos të mund ta sigurojmë një vend pune për një mësues kur ta shikojmë gjendjen reale në shoqëri se çfarë po bëhet në këtë shtet, mendoj se për fëmijët duhet të përkujdesemi. Madje, nuk është vetëm fëmija im janë edhe fëmijë të atyre që punojnë nëpër ato institucione dhe që vendosin për këtë çështje,” u shpreh një prind.

 “Nuk është normal, ai është shumë i vogël, vetëm 8 vjet, nuk mund të vij dhe në shtëpi të qëndroj vetëm,” tha një tjetër prind.

Në komunën e Çairit nga gjithsej nëntë shkolla fillore, pesë prej tyre realizojnë mësimin tërëditor. Siç tha zëdhënësi, Fari Iseni, tre shkolla kanë mësimin tërëditor për klasën e katërt dhe dy të tjera për klasën e katërt dhe të pestë. Iseni shtoi se vazhdimi i mësimit tërëditor deri në klasë të pestë është vështirë i zbatueshëm për shkak të buxhetit të ulët të komunës e cila në këtë rast duhet të paguaj mësimdhënësit për klasën e katër dhe të pestë, pasi deri në klasën e tretë financimi sigurohet nga Ministria e Arsimit.

“Ne si komunë jemi pro idesë që të vazhdojmë me organizimin e mësimit tërëditor edhe për klasat e katërta dhe të pesta por krejt kjo varet edhe prej mjeteve për arsye se kemi pasur rastin viteve të kaluara, viteve paraprake kur jemi ballafaquar me kriza të ndryshme. Komplet mjetet që ishin paraparë për aktivitete kulturore, mësimin tërëditor për klasat e katërta dhe të pesta, për aktivitete të ndryshme ndryshuan prioritetet duhej të bënim realokim të mjeteve dhe ti vendosim prioritet ballafaqimit me krizën ekonomike,” deklaroi Fari Iseni, zëdhënës i Komunës Çairit.

Nga Ministria e Arsimit thonë se janë duke vazhduar analizën për formulën e të financimit të shkollave fillore për mësim tërëditor në arsimin fillor. Por, sipas ministrisë, kjo ende është fazë e hershme analize, ndërsa modeli do të filloj të zbatohet pas disa viteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat