Fetahu: Në këto ditë festive kudo shtrihet dora e mëshirës

Maqedonia

Fetahu: Në këto ditë festive kudo shtrihet dora e mëshirës

Më: 20 prill 2023 Në ora: 15:28
Shaqir Fetahu

Në prag të festës së Bajramit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame ka uruar besimtarët myslimanë. Në mesazhin e tij Fetahu bëri thirrje për solidaritet.

Ai tha se në këto ditë festive nuk duhet të harrohen skamnorët, të varfrit e jetimët. Festa e Bajramit vjen pas përfundimi të agjërimit 29 ditor. Falja nëpër xhamitë e gjithë vendit do të bëhet në orën 6 e 26 minuta të mëngjesit të nesërm.

“Në këto ditë festive kudo shtrihet dora e mëshirës, sepse kjo festë mbjellë gëzimin e harenë në familjet dhe zemrat tona, forcon dashurinë njerëzore. Por, në këto ditë të hareshme, shkolla e Ramazanit na mësoi që të mos harrojmë njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadekatul Fitrit, siç na ka treguar i Dërguari i Zotit se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta.

Me një fjalë, Festa e Fitër Bajramit është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores, i moralit ndaj amoralit, i durimit ndaj mosdurimit, i hyjnores ndaj satanikes.

E gjithë kjo na bën të jemi njerëz të aksioneve, njerëz që bëjmë thirrje në kultivimin e veprave të mira dhe njerëz që pengojmë veprimet e këqija”, deklaroi Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat